11:41 / E Mërkurë, 07 Shkurt 2018 / indeksADMonline

KMDLNJ: Gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar të UNMIK-ut dhe EULEX-it, do ta korruptojnë edhe Gjykatën Speciale

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë, që nga përfundimi i luftës ka qenë i mbikëqyrur dhe kontrolluar nga faktori ndërkombëtar përmes misionit të UNMIK-ut dhe EULEX-it, misione këto që kanë shqyrtuar rastet më të rënda si ato të krimeve të luftës, krimit të organizuar të nivelit të lartë, korrupsionit të “peshqve të mëdhenj”, trafikimit me qenie njerëzore si dhe konflikteve me motive etnike dhe politike.

KMDLNJ thotë se nëse bëhet një përmbledhje e rezultateve në këto fusha, del se janë fare modeste apo nuk ka rezultate hiç.

Madje, sipas Këshillit, këto misione nuk e kanë pasur për qëllim sigurimin e drejtësisë për viktima e as ndarjen e përgjegjësisë për ata që kanë bërë krime, por janë angazhuar që, përmes proceseve që kanë qenë edhe të kurdisura, të sigurojnë një qetësi apo siguri të brishtë e që nënkupton se i kanë shërbyer proceseve politike.

“Përmes këtyre proceseve i kanë bërë presion dhe shantazh faktorit politik kosovar (që edhe në disa raste ka qenë i komprometuar dhe korruptuar) sikur që i ka bërë lëshime të paimagjinueshme Serbisë, përkatësisht regjimit kriminal, që nga Millosheviqi e deri te Vuçiqi, Vulini, Daçiqi etj”, thotë KMDLNJ në një reagim dërguar mediave.

Mospuna, mossuksesi, dështimi apo mosdashja e përmbushjes së misionit të UNMIK-ut dhe EULEX-it, sipas KMDLNJ-së, është adresuar si përgjegjësi e autoriteteve vendore që, jo se janë pyetur për diçka por janë injoruar skajshmërisht.

“Po të punonte si duhej Tribunali i Hagës, UNMIK-u dhe EULEX-i, nuk do të kishte fare nevojë për themelimin e Gjykatës Speciale ku gjejnë strehë dhe punë të dështuarit e Tribunalit të Hagës, ata të UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe avanturierë të tjerë që drejtësinë e marrin dhe e përdorin si mundësi për mbushje të xhirollogarive dhe dhunim të drejtësisë”, thekson më tej ky Këshill.

Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, prokurorët dhe gjykatësit e Tribunalit të Hagës, të UNMIK-ut dhe të EULEX-it, vetëm pasi ta kenë përfunduar mandatin apo janë larguar nga puna, “kanë folur për dështimet, proceset e kurdisura për eliminime politike, korrupsion marramendës të këtij personeli e që pikërisht nga këto misione është dashur të hetohen, gjykohen dhe dënohen”.

“Sidomos në Kosovë, nga zyrtarë të lartë të këtyre misioneve, haptas ka pasur denoncime dhe dëshmi për korrupsion të lartë për lirimin e personave të akuzuar për këto vepra të rënda penale sikur edhe kurdisje politike për procese që janë zvarritur për vite të tëra dhe në fund kanë dalë të pafajshëm. Ka pasur procese ku fajësia e të akuzuarve ka qenë aq e qartë edhe për një nxënës të edukatës qytetare e lere më për gjykatës apo prokurorë të specializuar ndërkombëtarë , një pjesë e së cilëve sipas vet ndërkombëtarëve po del të jenë bërë milionerë duke shitur pafajësinë kriminelëve dhe duke simuluar fajësinë për të pafajshmit. Një pjesë e këtij stafi në mënyrën më të pamoralshme të mundshme i ka fyer të akuzuarit shqiptarë duke i cilësuar si kafshë. Ka dëshmi të shkruara për këtë”, deklaron KMDLNJ.

Këshillit thotë se ndërkombëtarët i kanë bërë disa komisione për hetimin e këtyre rasteve të denoncuara e të cilat kanë përfunduar në hapje të hetimeve ndaj atyre që i kanë denoncuar këto keqpërdorime dhe zhvatje që i kanë bërë ndërkombëtarët.

Sipas KMDLNJ-së, faktori ndërkombëtar, kur ka vlerësuar se ka interes politik, i ka mbrojtur dhe amnistuar politikanët kosovarë, thellë të përfshirë në krime të rënda.

“Faktori ndërkombëtar e ka politizuar dhe deprofesionalizuar sistemin e drejtësisë në Kosovë duke ia nënshtruar një pjese të klasës mafioze politike kosovare me të cilët ka bashkëpunuar ngushtë, shqiptarë dhe serbë. Nuk ka shtet në botë që ka shkaktuar aq shumë lufta dhe viktima si Serbia dhe nuk ka rast që janë dënuar kriminelë më pak për kokë banori se në Serbi. Nuk ka shtet në botë që varrezat masive i bënë 400 km larg vendit të krimit sikur që e bëri Serbia me Batajnicën e që kanë mbetur të padënuara kurse viktimat, pa drejtësi”, thotë KMDLNJ.

KMDLNJ, duke u ndalur tek rekrutimi i stafit gjyqësor dhe prokurorial për Gjykatën Speciale nga radhët e Tribunalit të Hagës, UNMIK-ut dhe EULEX-it, thotë se ky staf ka dështuar në përmbushjen e misionit dhe, përveç se paraqet konflikt të interesit, është edhe një dukuri e vazhdimit të dhënies së mundësisë për korruptim të këtij stafi, siç ndodhi më parë e që për pasojë do të ketë mungesë të drejtësisë për viktima si dhe amnisti për ata që planifikuan, urdhëruan, nuk penguan dhe bënë krime që sanksionohen si shkelje e ligjeve të luftës dhe të së Drejtës Humanitare.

“Këta mercenarë shëtitës të ripunësuar në kundërshtim me çdo moral njerëzor dhe ligjeve pozitive, do ta vazhdojnë orgjinë e korrupsionit edhe në Gjykatën Speciale për shkak të përfitimeve të mëdha materiale, diktateve politike të të pushtetshmëve si dhe avancimit të tyre në karrierë. Këtyre, sikur edhe disa politikanëve kosovarë nuk iu intereson drejtësia për viktima dhe dënimi i kriminelëve por u intereson xhirollogaria dhe ruajtja e lëkurës. Si në kohën e Tribunalit të Hagës, misioneve të kriminalizuara të UNMIK-ut dhe EULEX-it e deri te misioni, pa asnjë dyshim i dështuar, (me qëllim dhe i planifikuar) i Gjykatës Speciale e cila është një vazhdimësi e ndikimeve politike sikur te ato të tjerat! Do të ishte befasi e shkëlqyer nëse ndodhë e kundërta”, ka përfunduar KMDLNJ.

Temat: