19:18 / E Diele, 25 Mars 2018 / indeksADMonline

Koci: Teknikisht, aktakuzat e para të Gjykatës Speciale mund të jenë deponuar

Avokati, Arianit Koci i cili është akredituar nga Gjykata Speciale për të mbrojtur të akuzuarit që do të ndiqen nga kjo gjykatë, ka thënë se teknikisht aktakuzat e para mund të jenë deponuar.

Mirëpo, sipas tij një gjë të tillë nuk mund ta dinë ende avokatët dhe të pandehurit.

Në një prononcim për Indeksonline, Koci ka thënë se deri më tani ata nuk kanë asnjë njoftim për ngritjen e aktakuzave të para dhe se për këtë mund ta dinë vetëm Prokuroria dhe Gjykata.

“Teknikisht aktakuzat e para munden të jenë deponuar, por të pandehurit dhe avokatët nuk e dinë ende këtë gjë. Pra, kjo nuk dihet deri sa ata të thërrasin. Këtë për momentin mund ta dinë vetëm Prokuroria dhe Gjykata, të cilët komunikojnë mes vetë, ndërsa ne në Kosovë nuk mund ta dimë ende”, ka thënë Koci.

Ndërsa, ai ka shtuar se çështja e ngritjes së aktakuzave të para nuk kanë asnjë ndërlidhje me Demarkacionin.

Sipas tij, në këtë kohë mund të ngritën aktakuzat e para, por kjo nuk ështëpër shkak të përfundimit të Demarkacionit.

“Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – apo si i quajnë Gjykata Speciale, e kanë ritmin dhe dinamikën e vet. Nuk ndikohen nga faktorët politik. Natyrisht, mund të konsistojë që në këtë kohë të ngritën aktakuzat e para, por kjo do të ndodhë vetëm nëse Prokuroria e vlerëson se ka prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave, e assesi për shkak të demarkacionit”, ka shtuar Koci./Indeksonline/