09:05 / E Diele, 27 Maj 2018 / indeksADMonline

Konfirmohet nga Federata e Egjiptit: Salah rikthehet në Botëror (Foto)

Mohammed Salah do të jetë i gatshëm për Kupën e Botës.

Ylli i Liverpoolit luajti vetëm 31-minuta në finalen e madhe të Ligës së Kampioneve ndaj Real Madridit. Egjiptiani u zëvendësua nga Lallana, pasi lëndoi rëndë kraharorin, transmeton IndeksOnline.

Salah u largua me lot në sy dhe të gjithë menduan se ai do ta humbas edhe Kampionatin Botëror që nis nga 14 qershori.

Megjithatë, Federata e Futbollit të Egjiptit ka kontaktuar me mjekun e klubit anglez, i cili ia ka dhënë një përgjigje pozitive.

“Gjatë thirrjes telefonike të kryer nga misioni kombëtar, për ta kontrolluar rastin e Mohammed Salah, zyrtarët e Liverpoolit thanë se rrezatimi u krye në shpatullën e Salahut dhe tregoi se ka një lëndim në nyjet e shpatullave. Dr. Abu Ela shprehu optimizëm se më këtë diagnozë, Salah mund të jetë i gatshëm për Kupën e Botës”, shkruhet në njoftimin e Federatës Egjiptiane.

Salah ka shkëlqyer këtë sezon, por ai nuk arriti ta fitonte asnjë titull me klubin anglez, Liverpool. Ndeshja në fund përfundoi me fitore të madrilenëve 3 me 1./IndeksOnline/