21:33 / E Enjte, 06 Shtator 2018 / indeksADMonline

Konjufca nuk tërhiqet nga fjalët: Nëse Haradinaj përleshet me Albinin, Albini e ‘sos’

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se nuk tërhiqet nga fjalët që ka thënë sot se “Nëse Haradinaj përleshet me Albinin, Albini e sos”.

“Nuk ka qenë pjesa kryesore e asaj çfarë kam folur. Por, nëse e keni fjalën për përmbajtjen e asaj që kam thënë unë nuk tërhiqem”, ka deklaruar Konjufca në emisionin “Debat Plus”.

Deputeti opozitar megjithatë është shprehur kundër dhunës dhe grushteve në politikë duke deklaruar se politika është fusha e argumenteve dhe zhvillimit të koncepteve politike.

“Politika në përgjithësi nuk e ka natyrën që të tregohet dimensioni i grushteve. Karakterin politika e ka që është fusha e argumenteve dhe zhvillimit të koncepteve politike”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Konjufca ka deklaruar se do të dihej fituesi nëse Haradinaj e Kurti përballen në koncepte politike.

“Nëse do të ndesheshin në këtë rrafsh dihet se kush do të fitonte”, ka deklaruar me tej Konjufca.

Duke folur për situatën politike në Kuvendin e Kosovës, Konjufca ka thënë se për pozitën është e obligueshme prezenca në parlament.

“Opozitës edhe i lejohet bojkoti sepse për nga numrat është pakicë në Kuvend. Prandaj duke mos pasur mundësi të parandaloj proceset që mendon se janë të dëmshme për vendin ndonjëherë i lejohet bojkotimi i Kuvendit”, deklaroi shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.