13:23 / E Premte, 09 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Kosova bën parakalimin historik në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore

Sot është bërë hapja ceremoniale e lojërave të 23-ta dimërore në Pyeongchang të Koresë së Jugut.

Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në Lojëra Olimpike Dimërore. Ndërsa hera e parë që Kosova mori pjesë si shtet në Lojëra Olimpike ishte në ato verore më 2016 në Rio të Brazilit.

Ekipit olimpik të Kosovës i priu bartësi i flamurit, skitari Albin Tahiri. Ekipi u përbë edhe nga trajneri Agim Pupovci dhe kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi.

Tahiri është sportisti i vetëm që e përfaqëson Kosovën në këto lojëra.  Tahiri ka fituar normën olimpike në pesë disiplina të skijimit alpik.

Ai do të garojë në sllallom, sllallom të madh, super sllallom të madh, lëshim të shpejtë dhe kombinim alpik.