08:33 / E Premte, 08 Qershor 2018

Kosova dhe Austria thellojnë bashkëpunimin ndërparlamentar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë vizitës zyrtare në Vjenë, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Fondacionin Erst Stiftung, i cili udhëhiqet nga Erhard Busek.

Sipas komunikatës dërguar nga Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit, memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua pas takimit të kryeparlamentarit kosovar dhe atij austriak dhe shënon një etapë të re të bashkëpunimit ndërparlamentar.

Projekti “DEMOS-TI”, i cili ka filluar të realizohet para dy vitesh, ka për qëllim edukimin e moshave të reja lidhur me parlamentarizmin në Kosovë. Me marrëveshjen e re të bashkëpunimit, parashihet që nga 1 tetori i këtij viti, projekti të bëhet tërësisht pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Në dy vitet e fundit, rreth 7 mijë nxënës të shkollave fillore të Kosovës kanë qenë pjesë e këtij projekti për edukim parlamentar. Projekti synon që të përfshijë të gjithë nxënësit e shkollave fillore të Republikës së Kosovës.

Veseli është duke qëndruar në Vjenë në kuadër të turit për lobim për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.