21:26 / E Mërkurë, 23 Maj 2018 / indeksADMonline

Kosova kërkon njohje të reja

Procesi i njohjes së shtetit të Kosovës është shumë i rëndësishëm dhe se në këtë drejtim është duke u bërë një punë e madhe edhe pse ka shumë sfida dhe vështirësi. Kështu të paktën është deklaruar Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ku sipas tij, ky proces është i pandalshëm dhe rezultatet do të shihen shumë shpejtë.

“Natyrisht Madagascar dhe Barbados ishin lajmet e mira ndërsa punë e madhe po bëhet edhe me shtetet të cilat Serbia po punon që të pengojë thellimin e marrëdhënieve ndërshtetërore”, ka thënë Pacolli për Indeksonline.

Kryediplomati ka deklaruar se Republika e Kosovës në rrafshin e njohjes ndërkombëtare por edhe të anëtarësimit në organizata të rëndësishme botërore do të ketë sukses.

“Jemi të angazhuar me të gjitha kapacitetet”, ka thënë Pacolli.

Njohje të reja po kërkon edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj. Ai së fundi ka udhëtuar për në Vatikan ku ka thënë se do ta kërkoi njohjen e shtetit të Kosovës.

“Kjo vizitë ka për qëllim të konfirmojë përcaktimin tonë si Kosovë, për marrëdhënie të mira bilaterale me Selinë e Shenjtë, njëkohësisht edhe si kërkesë që selia e shenjtë të pranojë Kosovës, ta njohë e të vendosë marrëdhënie bilaterale”, ka thënë Haradinaj përderisa sot ka zhvilluar edhe një takim me Papa Françeskun, ku ndër të tjerash ka thënë se Kosova është shembull për bashkëjetesën mes popujve dhe tolerancën fetare.

Në njohjet e deritanishme figurojnë 116 vende, nga to shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, vende anëtare të Bashkimit Evropian, shtete anëtare të NATO-s dhe anëtare të Organizatës së Bashkimit Islamik./Indeksonline/