10:27 / E Hënë, 30 Prill 2018 / indeksADMonline

Kosova, vend i sigurt për investime të huaja

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se vendi ynë ka potenciale të mëdha për të pranuar investime direkte.

Ai gjatë një takimi me një delegacion të Këshillit të Odave Saudite si dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme nga ky vend, të kryesuar nga Khalid Abdulrahman Al Othman, ka konfirmuar përkushtimin e Qeverisë që drejton për të krijuar kushte të përshtatshme për investime strategjike, që do të ndihmonin zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Kosova është vend i sigurt dhe i hapur për investime të huaja. Vendi ynë me Arabinë Saudite ka raporte korrekte bilaterale, e të cilat mund të zgjerohen në bashkëpunim ekonomik. Ne kemi krijuar ambient të përshtatshëm për investitorët e huaj, kemi resurse njerëzore, fuqi të re punëtore dhe të profilizuar si dhe kushte të volitshme për sa i përket legjislacionit në fushën e të bërit biznes”, tha Haradinaj.

Takimi me investitorët dhe biznesmenët nga Arabia Saudite është në vazhdën e përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të dhënë mesazhin se Kosova po bëhet një treg atraktiv ku mund të investohet në shumë fusha.