16:44 / E Martë, 17 Tetor 2017 / indeksADMonline

Kosovarët e duan pasaportën e Shqipërisë, por a pajtohen qytetarët e Shqipërisë…

Një anketim që ka bërë AktivPress me qytetarë në rrjetin social ka shpërfaq bindjen e shumicës së kosovarëve se u takon ta kenë pasaportën e Shqipërisë.

Prej mbi 800 personave që kanë dhënë përgjigje në pyetjen nëse qytetarët e Kosovës duhet të pajisen me pasaporta të Shqipërisë, 97% e tyre kanë thënë “Po”, pa asnjë mëdyshje.

Bile shumë nga ta e kanë cilësuar si të vonuar një kërkesë të tillë. Një pjesë e kanë konsideruar si një hap drejt bashkimit, por disa syresh e kanë konceptuar Kosovën e Shqipërinë si një tërësi unike shtetërore.

Megjithatë, në raste të rralla, ka pas qytetar që i kanë thënë “JO”, pajisjes së kosovarëve me pasaporta të Shqipërisë. Të tillët e kanë mbrojtur tezën se Kosova duhet të luftoj për ta fituar të drejtën e liberalizmit dhe qytetarët e saj të lëvizin me pasaporta të shtetit të vet.

Shumë më ndryshe kanë reaguar qytetarët e Shqipërisë, në një pyetje të ngjashme të bërë nga OraNews. Aty çdo i dyti apo i treti është shprehur kundër plotësimit të kërkesës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që Shqipëria të lëshoj pasaporta për qytetarët e Kosovës.

Ata që e kanë mbështetur këtë ide, kanë shtruar pyetjen: Pse jo?, duke dhënë më pas shpjegimin se edhe kosovarët janë shqiptarë. Mirëpo, shumë të tjerë kanë thënë prerazi “JO”, duke kërkuar që politikanët kosovar t’i kryejnë detyrat e veta.

Debati rreth pasaportave është hapur ditë më parë, pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i kërkoi  homologut të  tij nga Shqipëria, Ilir Meta që shteti shqiptar t’u lëshojë nënshtetësinë qytetarëve të Kosovës në mënyrë që të shmangen nga izolimi i ka vënë Bashkimi Evropian Kosovës.

Ndërkohë, presidenti Ilir Meta ka thënë se ndodhet në një pozitë mjaft të vështirë, ngase ka shumë kërkesa nga qytetarët e Kosovës që të marrin nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë për t’i shpëtuar bllokadës në të cilën ai tha se padrejtësisht janë vënë./AktivPress

(Në vijim mund t’i shikoni dy pasqyra të anektimit: e para e AktivPress, ndërsa e dyta e OraNews)

AktivPress

OraNews- Foto

Anketa në AktivPress

https://web.facebook.com/aktivpress.online/photos/a.419003195111462.1073741828.383167275361721/554339524911161/?type=3

Anketa në OraNews

https://web.facebook.com/Ora.News.RTV/posts/1095773307214457