22:31 / E Mërkurë, 19 Shtator 2018 / indeksADMonline

KQZ ende pa mandat, Rama nuk mund të bëhet deputet

Janë bërë nëntë ditë që kur Nezir Çoçaj dha dorëheqje për arsye personale nga detyra e deputetit të Kuvendit të Kosovës. Kështu, nga atëherë Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon punën me një deputet më pak.

Është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ai i cili e ka për detyrë të certifikojë ligjvënësin e ri, por kjo nuk po bëhet pasi që po të njëjtit nuk kanë marrë ende betimin e presidentit të vendit- Hashim Thaçi.

E vetmja që gëzon mandat brenda KQZ-së, është Valdete Daka. Ndërkohë që sipas numrit të votave, ai që pritet të zë një ulëse në Kuvend është Rafet Rama.

I njëjti ka treguar se deri më tani nuk është kontaktuar as nga partia e tij (PDK), e as nga KQZ. “Jo nuk më ka thirr askush, e di që unë jam me vota por që deri tash nuk më ka thirr askush as PDK as KQZ, po pres.”, ka thënë shkurt për Indeksonline.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se kjo që po ndodh me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është një avaz i vjetër.

“Ajo çfarë po ndodh me KQZ-në është një avaz shumë vjeçar dhe më e keqja është se nuk po ndërmerren masa për zgjedhjen e këtyre problemeve dhe funksionalitetit të tyre për arsye se pa kuorum, pa kompletimin e institucioneve të pavarura nuk mund të ketë legjitimitet, as funksionalitet dhe as rezultate në punë e lëre më të flasim për projektet dhe realizimin e tyre siç është rasti i KQZ-së dhe sekretariati i tij, të cilët do të duhej që jo vetëm gjatë procesit të zgjedhjeve, cilido nivel qofshin ato lokal ose qëndror”, ka thënë Baraliu në një prononcim për Indeksonline.

Sipas tij, moskompletimi i institucioneve dhe pengesa procedurale janë si rezultat i “javashllëkut”.

“Ata që humbasin më shumë në këtë rast janë qytetarët për arsye se janë dëshmitarët, dhe mos pasja e komplet strukturave të pavarura sigurisht që ndikon negativisht. Është desht të kryhet pa u bërë 4 vite, pa iu kalu mandati, është desht të kryhen të gjitha procedurat. Në këtë mënyrë është e nevojshme të respektohet mandati. Duhet të respektohet gjuha e Kushtetutës”, ka shtuar tutje ai gjatë bisedes.

Baraliu thotë se në rast të ndonjë ngërçi politik ekziston mundësia që presidenti tu japë mandat brenda 30 ditëve. Por, derisa presidenti të emëroj anëtarët e rinj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet jofunksional dhe jolegjitim.

Vlen të përmendim faktin se si rezultat i mos emërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së, përveç që Kuvendi vazhdon seancat me një deputet më pak, janë edhe disa komuna tjera që duhen bërë ndryshime tek emrat e asambleistëve. Ishte paralajmëruar se grupi i parë i anëtarëve të KQZ-së të betohet me 21 qershor, mirëpo në fund u vendos të mos mbahej fare ajo ceremoni.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet, emërimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së është dashur të bëhet më së voni në fillim të muajit shtator të vitit të kaluar, por për shkak se vendi po hynte në procesin e zgjedhjeve lokale presidenti ua kishte vazhduar mandatin edhe për 90 ditë që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare./Indeksonline/