19:22 / E Shtunë, 16 Qershor 2018 / indeksADMonline

KQZ-ja jofunksionale, ende pa anëtarë të rinj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nga shtatori i vitit të kaluar ka mbetur pa mandat, duke mos mbajtur kështu asnjë mbledhje.

Përpos kryetares Valdete Daka, të cilën presidenti e emëroi para disa javësh, KQZ nuk është kompletuar akoma me anëtarët e rinj të cilëve u ka përfunduar mandatit tash e disa muaj, shkruan Indeksonline.

Zyra e Presidencës kishte thënë ditë më parë për Indeksonline se disa nga partitë kanë dërguar propozimet e tyre për anëtarë të KQZ-së, por që nuk janë kompletuar të gjithë.

“Zyra e Presidentit nuk i ka pranuar ende të gjitha propozimet për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga subjektet e përcaktuara me ligj. Kurse, propozimet që i kemi pranuar tashmë janë në fazën e kompletimit me dokumentacionin shtesë të nevojshëm, sipas legjislacionit përkatës në fuqi”, thuhej në përgjigje.

Por, derisa presidenti të emëroj anëtarët e rinj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet jofunksional dhe jolegjitim.

Por  kjo vonesë, ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu thotë se nuk do të duhej të ndodhte kur dihet rëndësia që ka institucioni në fjalë.

Në një prononcim për Indeksonline, ai ka theksuar se institucionet e pavarura sic është KQZ-ja e që janë kategori kushtetuese me rëndësi të vecantë, nuk duhet të lejohet që të funksionojnë jashtë mandatit.

“Fatkeqësisht funksionimi pa mandat po ndodh tani me KQZ-në dhe po sjell probleme serioze në funksionimin e sistemit parlametar të përfaqësuesve por edhe të sistemit komunal, sepse nuk ka mundësi të mbaj mbledhje që kanë legjitimitet dhe problemet paraqiten si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qëndror kur duhen zëvendësime apo vendime të cilat do të duhej të merreshin brenda mandatit kushtetues e jo jashtë tij”, ka potencuar Baraliu.

Sipas tij, neglizhenca e presidentit për të bërë KQZ-në institucion funksional është e paarsyeshme.

“Pradaj është problem serioz dhe kjo vonesë është e paarsyeshme dhe s’do të duhej të ndodhte . Është e pashpjegueshme sjellja e presidentit sepse nëse partitë politike i kanë dërguar emrat, atëherë ai nuk e ka vështirë por edhe e ka obligim kushtetues të bëj punën e tij. Është definitivisht e pakuptueshme dhe nuk është hera e parë që jo vetëm presidenca por edhe institucionet tjera në trupa të ndryshme, në borde e institucione të pavarura me vite të tëra kanë bërë njëë gjë të të tillë”, ka thënë tutje Baraliu.

Duke u bazuar në të kaluarën, sipas tij, KQZ nuk është një përjashtim, vetëm se këtu është dicka më specifike, për një organ dukshëm më të ndjeshëm që bie edhe në sy.

“Përdryshe kjo është dukuri që me vite të tëra për shkak të neglizhecës, për shkak të institucioneve dhe qëllimeve të caktuara që institucionet mos të marrin vendime, për të kaluar interesat e tyre formale, partiake, personale, shoqërore etj i lënë këto institucoine të pakompletuara pa kourum për të marr vendime legjitime”, ka përfunduar Baraliu.

Indeksonline ka disa ditë që ka tentuar të kontaktoj me kryetarën e KQZ-së në forma të ndryshme, por një gjë e tillë nuk ishte e mundur. /Indeksonline/