20:20 / E Hënë, 09 Prill 2018 / indeksADMonline

KQZ monitoron zgjedhjet jashtë Kosovës, vijnë reagimet e para

KQZ-ja nuk ka pse t`i monitorojë zgjedhjet në secilin vend që ato mbahen. Kështu ka deklaruar Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Ai përmes një komenti në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se KQZ-ja po shpenzon para në udhëtimet jashtë vendit ku po mbahen zgjedhjet, kur ajo akoma nuk i ka pagur 1 mijë e 600 komisionerët e zgjedhjeve lokale në Kosovë, transmeton Indeksonline.

Më poshtë iu sjellim komentin e plotë të tij:

Anëtarët e KQZ-së dje vëzhguan zgjedhjet në Hungari, e javën e ardhshme do të vëzhgojnë zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi.
E para, KQZ nuk ka pse të vëzhgoj zgjedhjet në secilin vend që mbahen. Asnjë raport nuk është publik lidhur me “mësimet” e këtyre vizitave.
E dyta, cila është rëndësia e zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, kur ne nuk e zgjedhim presidentin drejtpërdrejtë?
E treta, pse duhet të shpenzohen para për këto vizita, kur KQZ në mungesë të mjeteve ende nuk ka paguar mbi 1,600 komisioner?
E katërta, është më mirë të fokusohen në zhvillimin e strategjive për edukim të votuesve, mos t’i kemi 8% të votave të pavlefshme, e të kenë module të trajnimeve më cilësore për komisionerët.
E pesta, anëtarët e KQZ-së edhe ashtu janë pa mandat.

Kujtojmë se KQZ ka kërkuar mjete shtesë nga Ministria e Financave për t`i paguar 1 mijë e 671 komisionerë. Por, MF ditë më parë ka bërë të ditur për “Indeksonline” se u kanë kthyer përgjigje KQZ-së duke iu treguar se nuk do t`i financojnë në këtë drejtim.

MF i ka rekomanduar KQZ-së që nga buxheti që u është ndarë për vitin 2018 të ndajnë shumën që kërkohet për t`i paguar komisionerët ende të papaguar.

/Indeksonline/