09:24 / E Hënë, 22 Janar 2018 / indeksADMonline

Krasniqi kujton 20 vjetorin e sulmit diversant mbi familjen Jashari

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi thotë se një ngjarje tjetër e rëndësishme në historinë e familjes Jashari që tregon vitalitetin e mobilizimit luftarak të kësaj familje të madhe shqiptare është ai i 22 janarit të vitit 1998.

“Fjala është për sulmin e diversantëve serb mbi këtë familje liridashëse me synimin kryesor të tyre, zhdukjen e familjes dhe të rezistencës së shqiptarëve në luftën për liri. Siç kanë treguar ata që e kanë përjetuar sulmin diversant, sulmi ishte i rrufeshëm por edhe përgjigjja ishte e rrufeshme. Sulmi i divesantëve serbë, familjen Jashari nuk e gjeti të befasuar, përkundrazi mobilizimi ishte i shpejt, i guximshëm dhe mjaftë profesional. Ky mobilizim i familjes Jashari është një vlerë shtesë e kësaj familje atdhetare me përgatitje të lartë luftarake. Një sulm i tillë, diversant dhe i befasishëm do ta gjente në befasi edhe një garnizon ushtarësh profesionist, por që nuk e gjeti familjen Jashari. Diversantet e gjetur në befasi ikin tinëzisht e më “bisht nën shalë”. Nga Jasharët mbeten dy vajza të plagosura”, ka thënë ish kreu i Kuvendit, historiani Jakup Krasniqi.

Sipas tij, ky sulm ishte një paralajmërim tjetër serioz se Serbia po përgatitej për të ushtruar dhunë në çdo familje shqiptare dhe për t’i luftuar shqiptarët kudo në Kosovë.

“Drenica dhe tërë Kosova ishin vërë nën rrethim të hekurt. Politika shqiptare në Prishtinë vazhdonte të ishte vetëm në vëzhgim pasiv. Rreziku për luftë, për masakra e dhunë serbe ishte kudo. Ngjarjet që rrjedhin në vazhdim do ta vërtetojnë këtë”, ka thënë ai./Indeksonline/