21:51 / E Mërkurë, 15 Gusht 2018 / indeksADMonline

Krasniqi: Me vrasjen e Hasan Prishtinës, Kosovës iu tha një krah i madh

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka përkujtuar veprën e Hasan Prishtinës, duke thënë se me vrasjen e tij,  Kosovës iu tha një krah i madh e populli shqiptar mbeti pa luftëtarin më të spikatur të pavarësisë së Shqipërisë.

Në një postim në Facebook, Krasniqi ka shkruar se Hasan Prishtina ishte lis i madh i kombit, i cili u godit nga rrufe të shumta, transmeton Indeksonline.

Sipas tij, autoriteti i Prishtinës në popull i shqetësonte kundërshtarët politikë, aftësia e tij mobilizuese në luftërat çlirimtare i tmerronte armiqtë e kombit shqiptar.

Lexoni postimin e plotë të Krasniqit:

Në shënjë përkujtimi për veprën atdhetare të Hasan Prishtinës

Në shërbim të demokracisë shqiptare

Nuk ka dyshim, Hasan Prishtina Lëvizjes Demokratike Shqiptare i ka dhënë gjak e jetë, e ka dinamizuar e revolucionarizuar dhe ka kontribuar që në Qershor të 1924-tës të rimerrej në Shqipëri. Hasan Prishtina ishte i bindur se nacionalistët demokratë, me gjithë dobësitë që shfaqën në qeverimin e tyre, ishin njerëz që do të luftonin për çlirimin e bashkimin e kombit shqiptar.

Por, në këtë kohë Hasan Prishtinës do t’i thahej krahu kryesor i rezistencës në Kosovë, pasi në përleshje me armikun, më 14 korrik 1924, vritet Azem Bejta. Në shtator të vitit 1924 Hasan Prishtina, i shoqëruar nga Bajram Curri,të ngarkuar nga komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”shkojnë në Gjenevë për të protestuar kundër dhunës e terrorit që ishte ushtruar në Drenicë e Kosovë nga pushtuesi serb e jugosllav.

Pas rikthimit të Zogut në Shqipëri, me ndihmën jugosllave dhe të armiqve të tjerë të Shqipërisë, Hasan Prishtina do të protestonte e dërgonte memorandume të ndryshme në Gjenevë, por kancelaritë e Evropës ishin të mbyllura për t’i dëgjuar lajmet tragjike që vinin nga Kosova. Edhe pse Hasan Prishtina jetonte në mërgim, vazhdoi të mbe¬tej rrezik si për pushtuesin serb e jugosllav, po ashtu edhe për qeverinë e Tiranës, të udhëhequr nga Zogu kryeministër, president dhe nga viti 1928 edhe mbret i shqiptarëve.

Me rikthimin e Zogut, jo vetëm që do të pësojë shumë Lëvizja Demokratike e Nacionaliste,por gjithë kundërshtarët politikë u detyruan të largohen nga Shqipëria dhe Zogolli nuk u mjaftua me këtë. Ai organizon ndaj shumë kundërshtarëve të tij vrasjet e tyre si brenda edhe jashtë Shqipërisë. Pushteti jugosllav dhe ai shqiptar i Zogut, armik të përbetuar e kishin Hasan Prishtinën. Hasan Prishtina që në vitin 1921 e kishte parë rrezikun që po i vinte Shqipërisë nga Zogu dhe u kishte propozuar Bajram Currit, Luigj Gurakuqit dhe Nolit që “të vritej Ahmet Zogu sa nuk na ka vrarë”.

Zhvillimi i ngjarjeve tregoi se Hasan Prishtina e kishte parandier rrezikun. Këta e kursyen Zogun, për hir të qetësisë e të demokracisë, por Zogu zgjodhi rrugën e eliminimit të të gjithë atdhetarëve që nuk iu nënshtruan kërkesave të tij kriminale. E filloi me Bajram Currin në Dragobi, me Luigj Gurakuqin në Itali dhe me Hasan Prishtinën në Selanik e me qindra të tjerë të emigruar jashtë Shqipërisë.

Hasan Prishtina ishte një Lis i madh i kombit. Dhe lisat e mëdhenj zakonisht goditen nga rryma të ndryshme, rrufe të shumta. Hasan Prishtina përballoi vërtet rrufe të shumta. Autoriteti i tij në popull i shqetësonte kundërshtarët politikë, aftësia e tij mobilizuese në luftërat çlirimtare i tmerronte armiqtë e kombit shqiptar. Shumëçka kishin shpifur për atdhetarine devotshëm e të papërkulshëm.

Ai do t’u thoshte, siç është cituar edhe më lart: “Mua në idenë teme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të mujë me më shtrue ari i tanë botës, por as mënia e tanë anmiqve! Ka me më shtrue vetëm vdekja”! Armiqtë ia dinin fuqinë, ia njihnin karakterin e pathyeshëm, se e pathyeshme ishte e tërë rruga e tij jetësore. Prandaj ishin bërë bashkë, feudalët e Shqipërisë me miqtë e tyre të Serbisë për të likuiduar viganin e bashki¬mit të shqiptarëve – Hasan Prishtinën. Ky atdhetar sypatrembur ishte dënuar gjashtë herë me vdekje. Nga turqit, nga serbët, Esat Pasha dhe tri herë nga Ahmet Zogu. Armiqtë e tij i kishin organizuar atentate të shpeshta, deri te ai më fatali i 14 gushtit 1933, në Selanik, nga Ibrahim Çela.

Rruga jetësore e Hasan Prishtinës ishte e tillë sa vrasja e tij shkaktoi reagime të shumta dhe natyrisht vlerësime meritore për një karrierë më se fisnike. Për mënjanimin e tij fizik pati aq shumë të interesuar, për faktin se konsiderohej si trazues i madh i Ballkanit, por më të interesuarit ishin gjithsesi: regjime te Tiranës dhe të Beogradit, të cilët atë mbrëmje,të 14 gushtit të vitit 1933 festuan vrasjen e Hasan Prishtinës.

Me vrasjen e Hasan Prishtinës, Kosovës iu tha një krah i madh, populli shqiptar mbeti pa luftëtarin më të spikatur të pavarësisë së Shqipërisë. /Indeksonline/