09:27 / E Mërkurë, 08 Gusht 2018 / indeksADMonline

Krimi në Gjakovë, gruaja e njoftoi policinë për kërcënimet pak orë para vrasjes

Policia e Kosovës ishte e njoftuar për mundësinë që diçka e keqe mund të ndodhte në Brekovc të Gjakovës. Kallxo.com ka mësuar se pak orë para se dorasi të qëllonte me automatik gruan dhe vajzën e tij i kishte dërguar një mesazh kërcënues në telefon gruas së tij. Kjo e fundit pak orë para vrasjes ishte ankuar në polici për kërcënimin.

Detajet për këtë janë konfirmuar nga kryeprokurori i Gjakovës Ali Selimaj. “Viktima është ankuar në polici për kërcënimin policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit dhe ka tentuar ta kontaktoj por ka qenë e pamundur” ka thënë Selimaj.

Ai ka shtuar se dorasi është person i njohur për prokurorinë dhe ishte i njohur pasi ndaj tij ka një procedurë penale.

Selimaj ka përgënjeshtruar lajmet se i dyshuari ishte liruar dje nga paraburgimi. Selimaj ka konfirmuar se i dyshuari ishte në paraburgim nga data 12 maj deri në 6 qershor të këtij viti dhe ndaj tij ka një aktakuzë për dhunë në familje e cila është dorëzuar në gjykatë.

Në rrethana ende të pasqaruar një 40 vjeçare dhe vajza e saj u qëlluan për vdekje mbrëmjen e datës 7 gusht. Dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i 40 vjeçares. Qifti jetonin të ndarë prej disa muajsh dhe kishin pesë fëmijë dy prej të cilëve jetonin me të atin dhe tre me nënën.

Viktima ishte me prejardhje nga Tropoja ndërsa jetonte nga paslufta me familjen e saj në Gjakovë.

Temat: