20:29 / E Diele, 08 Prill 2018 / indeksADMonline

Kryetari i Kamenicës ka një kërkesë për Apostolova-n, Delawie dhe Tanin

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati përmes një letre i është drejtuar udhëheqëses së zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie dhe shefit të UNMIK-ut, Zahir Tanin.

Përmes kësaj letre, Kastrati ka kërkuar ndihmë për ndërtimin e objekteve të reja shkollore për nxënësit e të gjitha komuniteteve.

Sipas tij, nxënësit e Kamenicës vijojnë mësimin në objekte tejet të  vjetra, ku edhe ju rrezikohet jeta, transmeton Indeksonline.

Kjo është letra e tij:

Të nderuar qytetarë të Kamenicës,

Po e ndaj me ju një letër që së bashku me nënkryetarin Bojan Stamenkoviç i kemi drejtuar udhëheqëses së zyrës BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delaëie dhe shefit të UNMIK-ut, Zahir Tanin.

Ndërtimi i një komuniteti të qëndrueshëm e harmonik për të gjithë, hap pas hapi

E nderuara Znj. Apostolova,

Siç dihet botërisht, Kosova në fund të shekullit të kaluar ka përjetuar një luftë traumatike dhe të dhimbshme. Me gjithë pasojat dërrmuese që kjo periudhë ka lënë, shqiptarët dhe serbët e Kosovës kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në drejtim të pajtimit. Të dy palët kanë përdorur metoda formale të rregullimit të marrëdhënieve me ndërmjetësimin e miqve tanë ndërkombëtarë në 18 vitet e fundit. Në këtë aspekt, forcimi i të drejtave të komuniteteve etnike pakicë në sistemin kushtetues dhe ligjor të vendit, ka qenë masë kritike për ta ndalur konfliktin dhe për të filluar ndërtimin e marrëdhënieve paqësore mes palëve të përfshira në konflikt. Përderisa metodat formale janë të rëndësishme, ne në Komunën e Kamenicës besojmë se pajtimi dhe më tej integrimi, duhet të arrihet duke vepruar në nivelin lokal me angazhim konkret që ndikon direkt në jetën e qytetarit.

Institucionet e Bashkimit Evropian kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e sistemit të edukimit dhe procesin e dialogut në mes të dy vendeve në fjalë. Megjithatë, përpjekjet për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve vazhdimisht janë minuar nga raportet armiqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe nga një numër i konsiderueshëm i mosmarrëveshjeve në mes të dy shteteve. Sistemi paralel serb i shkollimit, si dhe ndasitë fizike janë dy nga pengesat kryesore të ndërveprimit të rrallë mes fëmijëve të të dy grupeve.

Kamenica, ky qytet i vogël por shumë simpatik, gjendet në pjesën lindore të Kosovës. Komuna mbulon një zonë prej 423 km² dhe përfshin 56 fshatra. Njihet për mikpritjen e njerëzve të saj, përqindjen shumë të ulët të krimit, bashkëjetesen ndërmjet komuniteteve – duke përfshirë edhe komunitetet Rom dhe Goran – si dhe për bashkëjetesën me komunitetin serb, një bashkëjetesë ndër më të qëndrueshmet në tërë Kosovën.

Qytetarët e Kamenicës, shqiptarët dhe serbët, bashkëjetojnë në qytet që para viteve 60′, duke i bërë këto marrëdhënie më të përafërta se kudo tjetër në Kosovë. Gjatë luftës edhe Kamenica ka përjetuar një frenim të përkohshëm në raport me kohezionin etnik. Mirëpo, sot ka fshatra dhe lagje në Kamenicë ku shqiptarët dhe serbët bashkëjetojnë. Ka edhe raste të organizimeve të përbashkëta, p.sh. tregun e përjavshëm ku dy etnitë bashkëpunojnë.

Misioni

Për të ndërtuar marrëdhënie të sinqerta ndëretnike, është shumë e rëndësishme të fillojmë me rininë. Të fillojme aty ku fëmijët tanë edukohen. Është e domosdoshme që të rinjtë e të gjitha komuniteteve, pa përjashtim, ta kalojnë përditshmërinë së bashku në një mjedis të përbashkët edukativ dhe argëtues. Kjo mundëson që komunikimi dhe ndërveprimi të jetë më konkret.

Unë besoj si Kryetar i vendit prej nga vij duhet të caktoj prioritete. Për t’i përmirësuar këto raporte në përditshmëri, komunitetet jo-shumicë në Kosovë duhet të integrohen në çdo sferë sociale, nga shëndetësia te barazia gjinore, nga ekonomia te edukimi, që në fund të fundit është fusha më e rëndesishme. Fatkeqësisht, sistemi edukativ në Kosovë vuan nga analfabetizmi funksional, infrastruktura e keqe shkollore, pagat e ulëta për mësuesit, dhe planprogramet e vjetruara, që krijojnë një rreth vicioz. Edhe pse unë dhe ekipi im nuk mund t’i rregullojmë të gjitha problemet e sistemit të edukimit, ne jemi të interesuar që sistemi ynë të jetë i barabartë dhe gjithëpërfshirës.

Në Kamenicë nxënësit e komunës sonë nuk e ndajnë një mjedis të përbashkët mësimi. Serbët, goranët, dhe romët e ndajnë një ndërtesë ku zhvillohet mësimi fillor dhe ai i mesëm. Shqiptarët ndjekin shkollën fillore aty afër, ndërsa të mesmen në dy ndërtesa të tjera matanë rrugës. Në vizitat tona në këto shkolla kemi vërejtur që shkolla fillore shqipe është në rrezik të madh sepse ndërtesa është shumë e vjetër dhe e pamirëmbajtur, një arsye shtesë pse bëjmë thirrje që ky projekt të mbështetet e implementohet.

Siç bëhet e ditur edhe nga raportet e progresit të BE-së dhe vlerësimet periodike të OSBE-së, “ekzistenca e dy sistemeve të ndara shkollore, me libra dhe planprograme të ndryshme, që përfshijnë pasqyrime kundërthënëse të historisë, vazhdon ta pengojë zhvillimin e një shoqërie multi-etnike.” Rrjedhimisht, në pajtim me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventën Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Minoriteteve Nacionale, dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës, unë kam ndërmarrë iniciativën për të ndërtuar një objekt krejtësisht të ri shkollor për të gjithë nxënsit e Kamenicës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

Objektivat

Ne besojmë se është e nevojshme të ndërtojmë objekte shkollore të reja nga fillimi. Objekte shkollore që ofrojnë kushte më të mira për të gjithë nxënësit pavarësisht gjinisë, fesë, apo etnisë së tyre. Edhe pse ky është një prezantim i shkurtër i projektit tonë, më poshtë po i paraqesim disa aktivitete specifike përmes të cilave ne synojmë ta nxisim bashkëpunimin ndëretnik në këto shkolla.

  • Plani ynë është shkollat të jenë efiçente dhe të kenë synim të sigurojë qëndrueshmëri
  • Klasa interaktive
  • Biblioteka me literature diverse
  • Laboratore moderne për shkencë dhe inovacion
  • Salla të sportit gjithëpërfshirëse dhe pishina,
  • Hapësira të gjelbëruara për lojëra, dhe
  • Një stadium me standarde evropiane

Pasiqë buxheti i komunës sonë për investime kapitale është rreth vetëm 800,000 euro në vit, ne nuk do të mund t’ia dalim vetëm. Sidoqoftë, meqë interesimi ynë për realizimin e këtij projekti është serioz, ne zotohemi që ta mbulojmë financiarisht projektimin arkitektonik të ndërtesës së shkollës, si dhe angazhimin e kapaciteteve njerëzore të administrates në realizimin e projektit duke ofruar kapacitetet tona.

Këto hapësira do të mund të përdoreshin nga të gjitha komunitetet etnike të Kamenicës. Ne synojme t’i afrojmë qytetarët në një hapësirë edukative të përbashkët, ku ata jo vetëm që do të mësonin së bashku, por edhe do të njiheshin me interesimet, kulturën dhe qëndrimet e njeri-tjetrit. Përmes këtij procesi, do të gjendeshin vlerat dhe synimet e përbashkëta që do ta mundësonin një bashkëjetesë më substanciale.

Ne besojmë që Kamenica është një rast shumë i mirë që na lejon të udhëheqim sipas shembullit. Ne duam të krijojmë ekipe sportive të përbëra nga shqiptarë, serb, romë, dhe goranë. Komuna e Kamenicës ka potencial të respektojë unitetin dhe diversitetin, dhe që secili qytetar do të jetë krenar ta perfaqësojë veten dhe ekipin e vet përmes aftësive dhe talenteve të veta.

Duke nisur nga ky vit, në bashkëpunim me studentët e Universitetit të Prishtinës, do të organizojmë një festival vjetor multietnik në Kamenicë, dhe kjo shkollë/kampus do të shërbente si një hapësirë e mrekullueshme ku do të mund të implementoheshin shumica e aktiviteteve të parashikuara të festivalit. Festivali do të realizohej me kosto të ulët, dhe do të siguronte që shkolla t’i shërbente qëllimit të vet për nxitje të bashkëjetesës. Si rezultat, ky festival do të tërhiqte vëmendjen e cila i ka munguar Kamenicës për një kohë të gjatë. Ky aktivitet kulturor do të stimulonte përafrimin jo vetëm të komuniteteve qëjetojnë në Kamenicë, por edhe nxitjen e qytetarëve të Kosovës ta vizitojnë Kamenicën.

– Përgjatë festivalit, ne synojmë t’i japim të gjithëve hapësirën për t’i shfaqur kulturat dhe historinë e tyre. Kësisoj, qytetarët do të kenë mundësi të dëgjojnë histori të rëndomta që fatkeqesisht mbeten pa u dëgjuar si pasojë e kontekstit fragjil politik dhe social.

– Do të organizojmë trajnime për të gjitha komunitetet lidhur me orientim në karrierë, mendim kritik e aftësi të buta. Do të sjellim studentët nga Universiteti i Prishtinës për të ndarë përvojat dhe njohuritë e tyre me nxënësit tanë.

– Pergjate ketij festivali ne synojmë të ngrisim fonde për të financuar bursa të studentëve të talentuar që vijnë nga grupe jo-shumicë për t’i ndihmuar në shkollim të lartë.

Megjithëse kanë kurikulë të ndryshme, shqiptarët dhe serbët duhet të kenë lëndë të përbashkëta si edukata fizike. Gjithashtu, ata duhet të bëjnë turne të përbashkëta sportive, si dhe të organizojnë gara muzikore dhe letrare. Fëmijët mund të mësojnë shqip dhe serbisht, duke i përfshirë si lëndë zgjedhore në planprogramin e ri shkollor, në mënyrë që të zvogëlohen dallimet dhe konfliktet që na kanë ndjekur në të kaluarën.

Ne jemi të përkushtuar që të punojmë seriozisht në ndërtimin e një shoqërie stabile, ku bashkëjeta ndër-etnike nuk ekziston si problem. Ndërtimi i një ambienti mikpritës është një aspiratë me shumë hapa, dhe ne do t’i zgjedhim hapat tanë me kujdes për ta arritur këtë qëllim. Edhe pse ky është një hap i vogël, unë e kam emërurar zëvendës-kryetar një pjesëtar të komunitetit serb, i cili pajtohet se ky projekt është i nevojshëm si hap për ta ndërtuar një qytet me harmoni, pa konflikte ndër-etnike

Rinia ka qenë përherë historikisht faktor madhor i ndryshimeve shoqërore, dhe ne besojmë që shkollat janë vendi ku ky ndryshim duhet të fillojë e pastaj të vazhdoj me ndryshim në sfera tjera të jetës. Edukimi i fëmijeve se jeta në komunitet është vendimtare për zhvillimin e tyre si individ dhe si grup, kështu që ky mësim t’u përcjellet gjeneratave tjera. Konflikti ndër-etnik mësohet, ashtu siç mësohet çdo lloj urrejtje, prandaj ne duhet ta ndryshojmë këtë njëherë e përgjithmonë.

Pra, me besimin që Zyra e BE-së në Kosovë ndan të njëjtin vizion, unë po iu drejtohem juve me një kërkese për takim, për ta diskutuat më tej këtë iniciative dhe për ta kërkuar ndihmën tuaj politike dhe financiare në konceptimin dhe implementimin e këtij projekti. Ju falenderoj paraprakisht për konsiderimin e këtij projekti, dhe pres me padurim ta lexoj përgjigjen tuaj.

Përshëndetje të përzemërta,

Qëndron Kastrati

Kryetar i Komunës së Kamenicës