23:27 / E Mërkurë, 30 Maj 2018 / indeksADMonline

Kuadrot profesionale të Mitrovicës, dy vite pa paguar qira për banesat e Komunës

Komuna e Mitrovicës nuk ka mundur t’i faturojë shfrytëzuesit e disa banesave komunale të cilëve u kishte skaduar kontrata dy vite më parë.

13 banesa ishin dhënë në shfrytëzim për kuadro profesionale të Mitrovicës nga viti 2006 me kontratë 10 vjeçare e cila ka skaduar në vitin 2016.

Megjithatë lidhur me këto banesa nuk u mor ndonjë vendim konkret deri këtë vit.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri më 18 prill kishte marrë vendim që 13 banesa që i ishin dhënë në shfrytëzim kuadrove profesionale të institucioneve të Komunës së Mitrovicës ti ipen familjeve me kushte të rënda ekonomike.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor për Komunën e Mitrovicës rekomandoi veprim lidhur me këto banesa.

“Nga testimi i listave të shfrytëzuesve të pronës publike (dhënien e banesave për kuadro), kemi vërejtur se në 12 raste, kontratat nuk janë valide në aspektin e periudhës kohore (ishin skaduar). Megjithatë, pronat shfrytëzohen ende pa ndonjë vendim zyrtar apo ripërtëritje të kontratës. Në mungesë të ripërtëritjes së kontratave komuna nuk i faturon këta shfrytëzues”, thuhet në raport.

KALLXO.com kishte raportuar se njëri nga këta shfrytëzues ishte edhe Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.

Ngjashëm, kjo komunë nuk ka inkasuar qira mujore nga shfrytëzues të pronave komunale dhe borxhet tashmë kanë arritur shumë të mëdha.

“Në katër raste kemi vërejtur se shfrytëzuesit nuk kishin paguar asnjëherë ndaj komunës qiranë mujore. Obligimi i tre qiramarrësve, arrin vlerën totale prej 81,888€ dhe janë nga që nga viti 2011, ndërsa një obligim tjetër në vlerën 5,058€ është që nga viti 2016. Në kontratat e nënshkruara specifikohej se në rast se obligimet nuk paguhen shkëputet kontrata. Megjithatë, komuna nuk kishte marrë veprime konkrete për arkëtimin e këtyre të hyrave, përveç, disa vërejtjeve me shkrim për mos pagesë, të bëra në vitin 2018”, thuhet në raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit tërheq vërejtjen për shpenzimet të bëra në kode të gabuara buxhetore.

“Komuna kishte buxhetuar dhe ekzekutuar pagesa gabimisht nga kodi i investimeve kapitale, në vlerë totale prej 177,570€1, të cilat i përkasin kategorisë mallra dhe shërbime. Po ashtu në katër pagesa tjera, 2 prej tyre, në vlerë 4,440€ ishin ekzekutuar nga kodi i investimeve, të cilat i përkasin mallrave; ndërsa, dy pagesa tjera në vlerë 18,996€ janë ekzekutuar nga kodi i mallrave dhe shërbimeve, ndërsa i takonin kategorisë së subvencioneve”, është e gjetura e auditorit.

Përveç kësaj, në këtë raport thuhet se pesë padi të bëra nga komuna që përfshijnë vlera financiare nuk ishin përditësuar në raportin e avokatit të komunës. Sipas auditorit nëse këto raste gjyqësore humben mund të ketë pasoja të rënda financiare për komunën.

Në Mitrovicë nuk është bërë plan i duhur i prokurimit pasi janë lidhur kontrata që janë jashtë këtij plani.

“Ndonëse në planin e prokurimit nuk ishte e paraparë aktiviteti: “Furnizim me material shpenzues për nevoja të QKMF-së në Mitrovicë” në vlerë 8,785€, megjithatë, kontrata është nënshkruar. Planifikimi joadekuat ishte shkaktar i lidhjes së kontratës jashtë planit të prokurimit”, gjeti auditori.

Pranimi i furnizimeve me medikamente mjekësore në vlerë 10,175€, sipas auditorit ishte bërë vetëm nga depoisti, pa formuar ndonjë komision përkatës siç kërkohet me rregulloren për pranimin e furnizimeve ku parashihet formimi i komisionit.

Lidhur me prokurimin u evidentuan edhe disa shkelje të tjera.

“Te kontrata ‘Furnizimi i shkollave me inventar dhe kabinete’ në vlerë 7,021€, raporti i vlerësimit nuk ishte i nënshkruar nga zyrtari i prokurimit. Me tutje, për kontratën ‘Furnizimi, mirëmbajtja dhe montimi i pajisjeve mjekësore’ në vlerë prej 44,964€, komisioni për vlerësimin e ofertave ishte formuar prej tre anëtarëve, por njëri prej tyre nuk kishte nënshkruar deklaratën nën betim. Po ashtu vendimi i komisionit për hapjen e tenderit nuk është i nënshkruar nga zyrtari i prokurimit”, thuhet në raportin e Auditimit të pasqyrave financiarë të Komunës së Mitrovicës për vitin 2017.

Pasuritë e kësaj komune që nuk kalojnë shifrën një mijë euro janë regjistruar vetëm në një listë në Excel.

“Komuna nuk ka arritur që t’i regjistrojë të gjitha pasuritë nën 1,000€, përfshirë asetet, materialet shpenzuese, etj. Në nëntë15 raste pasuritë nën 1,000€ në vlerë 5,139€ nuk ishin regjistruar në sistemin e-pasuria, por vetëm në një listë të brendshme të komunës (regjistër në Excel)”, thuhet në raport.