11:29 / E Hënë, 17 Shtator 2018 / indeksADMonline

Kunata e Salih Mekajt gjykon rastin e veteranëve

Gruaja e djalit të axhës së Sali Mekajt, Nushe Kukaj-Mekaj do ta gjykojë rastin për të akuzuarit për manipulimet me listat e veteranëve.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Të premten Prokuroria e Kosovës ka dërguar në Gjykatë aktakuzën ndaj 12 personave për manipulimet me listat e veteranëve.

Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbi Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhja dhe Xhavit Jashari do të gjykohen nga kunata e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Qarkut në Pejë, Salih Mekaj.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë me dt.14.09.2018, ka pranuar aktakuzën kundër të akuzuarve A.Ç, N.L, S.H, SH.D, Q.G, SH.B, A.D, RR.B, F.F, S.E, F.SH dhe XH.J për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422.  Lënda në fjalë  i është ndarë për gjykim gjyqtares nga Departamenti për Krime të Rënda, Nushe Kuka-Mekaj”, ka thënë Gashi.

Gazeta Insajderi ka raportuar në muajin maj të këtij viti për të transferimin e kësaj gjyqtareje në Gjykatën e Prishtinës.

Nushe Kukaj-Mekaj ishte transferuar në Gjykatën e Prishtinës në kohën kur djali i saj po akuzohej për një rast të krimit të organizuar, dhe gjithashtu Salih Mekaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Asdren Mekaj, i biri i gjyqtares që do ta gjykojë rastin e veteranëve kishin rrëmbyer një person dhe bashkë me disa tjerë e kishin futur në bagazhin e veturës.

Prokuroria aso kohe po kryente hetime kundër Tunë Kqirës nga Prizreni, Kastriot Kqirës nga fshati Sërbicë e Eperme, Gjon Kqirës, Gjekson Kqirës e Benson Buza që të gjithë nga Prizreni, Besfort Omaj nga Zhuri dhe Asdren Mekaj nga Peja për shkak të dyshimit se kishin kryer veprën penale të fajdes.

Por, djali i gjyqtares Mekaj ishte i dënuar edhe për një vepër tjetër penale.

Asdren Mekaj bashkë me një zyrtare të Raiffeisen Bank ishin dënuar në vitin 2009 me gjashtë vite burgim.

Asdren Mekaj gjatë muajit mars – gusht 2008 kishte kërcënuar të dëmtuarën V. Mustafa se do ta zbulojë lidhjen intime që kishte me të tek bashkëshorti dhe familja e saj. Në këtë mënyrë e kishte detyruar që nga banka të nxirrte shumën e parave prej 223,580,10 euro dhe t’ia jepte atij për të hapur biznes. Me këtë veprim ka kryer veprën penale shantazh dhe është dënuar me gjashtë vjet burgim.

Kurse në anën tjetër, Salih Mekaj në muajin maj të këtij viti ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Sipas këtij aktvendimi, Mekaj lirohej nga akuza për keqpërdorim të detyrës për rastin e fajdeve.

Salih Mekaj kishte qenë pjesë edhe e përgjimeve në rastin Pronto.

Një telefonatë kishte mjaftuar që Salih Mekaj të emërohej në krye të Gjykatës së Apelit. Xhevat Grabovci, kushëriri i Adem Grabovci, kishte ndërmjetësuar që Mekaj të zgjidhet kryetar i Gjykatës më të madhe në Kosovë. Xhevati i kishte garantuar Adem Grabovcit, se Mekaj është shumë i fortë dhe se e kishte garantuar se e ka “provuar se çfarë burri është”.