11:14 / E Premte, 02 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Kundërshtohet aktakuza në gjykimin e Lushtakut

Në seancën e sotme të gjykimit të Sami Lushtakut dhe 23 personave tjerë për arratisjen nga QKUK-ja, është kundërshtuar aktakuza nga shumica e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre.

Gjatë kësaj seance gjyqtari i vetëm Shashivar Hoti deklaroi se në formë të shkruar gjykata i ka pranuar kundërshtimet nga ana e avokatëve.

“Ne i kemi pranuar kundërshtimet nga avokatët dhe kemi pranuar edhe shkresën me shkrim nga ana e prokurorit dhe varësisht nga pranimet e përgjigjeve të secilit mbrojtës dhe të pandehur, i kemi dërguar shkresat e lëndës dhe përgjigjet që janë parashkruar”, tha gjyqtari Shashivar Hoti.

Hoti deklaroi se ka edhe palë të cilët fare nuk kanë parashtruar kundërshtime në lidhje me aktakuzën e ngritur.

“Kemi edhe palë që nuk kanë parashkruar kundërshtime”, deklaroi gjyqtari.

Palët që nuk kanë paraqitur kundërshtime ishin Dardan Geci, Argjend Behramaj e Myrvete Hasani, këta të akuzuar në këtë proces gjyqësor po mbrohen vetë pasi që nuk kanë angazhuar avokat mbrojtës.

Pati edhe ankesa nga ana e avokatëve, mbrojtësi i Skender Tahiraj, avokati Nasuf Hasani tha se kundërshtimet me shkrim nga ana e prokurorit i ka pranuar në gjuhën angleze përkundër faktit se duhej t’i pranonte në gjuhën shqipe, njofton kallxo.com.

Avokati Hasani po ashtu tha se si në shkresat e lëndës dhe si në aktakuzë emri i të mbrojturit të tij figuron Skender Tahiraj, ndonëse i mbrojturi i tij quhet Skender Tahiri dhe se edhe në adresën e tij ka gabime.

Një gjë për të cilën gjyqëtari Shashivar Hoti tha se mund të ketë pasur gabime teknikë.

Në lidhje me kundërshtimet e palëve në procedurë gjyqtari Shashivar Hoti tha se në afatin e paraparë kohor gjykata do t’i njoftojë palët në lidhje me vendimin e marrë.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë akt të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Aktakuza për arratisjen nga QKUK-ja u ngrit vitin e kaluar.

Temat: