20:05 / E Martë, 03 Prill 2018 / indeksADMonline

Kundërshtohet Projektligji për Amnistinë

Komisioni për Legjislacion dhe Mandate ka miratuar sot në parim Projektligjin për Amnisti, me katër vota pro, një kundër dhe një abstenim.

Iniciativa për ndërmarrjen e një veprimi të tillë ishte nisur nga një grup i deputetëve që përmes mbledhjes së nënshkrimeve të kërkohet amnisti për të gjithë deputetët të cilët hodhën gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës përgjatë periudhës së viteve 2015-2016, veprime këto që u bënë me arsyetimin e ndaljes së marrëveshjeve të dëmshme për vendin.

Janë pikërisht 15 zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë këtu deputetë dhe ministra, ndaj të cilëve ka procedura gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për arsye të hedhjes së gazit lotsjellës gjatë mandatit të kaluar legjislativ të Kuvendit.

Aktualisht ky proces gjyqësor është duke u zhvilluar vetëm ndaj disa prej deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të Grupit të Pavarur dikur pjesë e Lëvizjes, por që në listën e atyre që kanë hedhur gaz lotsjellës ka edhe deputetë dhe zyrtarë të lartë qeveritar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.

Pas vendimit të sotëm në Komisionin për Legjislacion dhe Mandate, Indeksonline ka kontaktuar me Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri i cili që nga fillimi kategorikisht është treguar kundër votimit të këtij Projektligji.

Tahiri ka deklaruar se që nga nisja legjislative për t’u hartuar ky Projektligj ka qenë një nismë në shpërpushje me parimin e sundimit ligjor.

“Që kur është ndërmarrë nga disa deputetë nisma legjislative për të hartuar Projektligjin për Amnistinë, e kam konsideruar se ka qenë një nismë në shpërpushje me parimin e sundimit të ligjit, argumenti themelor i të cilit është barazia para ligjit.Kam shprehur mos pajtimin tim për këtë nismë sepse logjika e saj kërkon përjashtimin nga përgjegjësia penale për individë të caktuar”, ka thënë Tahiri për Indeksonline.

Sipas tij, sot, Komisioni për Legjislacion e ka miratuar në parim këtë projektligj, por konsideron se një praktikë e tillë, është rast i pa precedent që konceptin e amnistisë e referon gabimisht.

“Qëndrimi i Ministrisë së Drejtësisë, i cili ka qenë në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ka qenë qëndrim refuzues edhe në kohën kur është kërkuar mendim lidhur me këtë nismë”, ka shtuar Tahiri.

Gjithashtu Ministri i Drejtësisë, Tahiri ka bërë të ditur se pavarësisht faktit se vendimmarrja i takon deputetëve dhe në këtë mes, secili është i pavarur për të bërë gjykimin e vet, miratimi eventual i këtij Projektligji, do të përbënte një regres të madh në përpjekjet tona për të fuqizuar sundimin e ligjit./Indeksonline/