16:15 / E Enjte, 17 Maj 2018 / k.v

Kur do të bëhen publike rezultatet e testit Pisa?

Rreth tri javë më parë ka përfunduar testi PISA-s në të gjitha shkollat e Kosovës. Komuna e fundit, e cila iu nënshtrua këtij testi ishte ajo e Drenasit, shkruan Indeksonline.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili ishte pjesëmarrës gjatë testit në këtë komunë, tha se ka informacione se në të gjitha shkollat pjesëmarrëse është treguar sukses.

Sipas ministrit, sikur të kishte ndonjë dështim apo problem gjatë testit, koha e përfundimit do të zgjaste deri me 5 maj.

“Nga informacionet që ne i kemi nga terreni në të gjitha komunat ka rezultuar një pjesëmarrje jashtëzakonisht e madhe dhe me sukses është përfunduar testi PISA. Siç e dini, kur kemi njoftuar se fillimisht që do të fillojë më datë 11 prill dhe do të përfundojë më 5 maj. Kjo periudhë ka qenë e planifikuar deri më 5 maj duke pasur parasysh se mund të ketë një dështim, mund të ketë ripërsëritje të testit në ndonjë komunë. Por, vërtet nuk ka pasur nevojë që të ketë përsëritje fare”, pati thënë ministri.

Por, ajo që është e rëndësishme në këtë proces, që është rezultati final, nuk do të dihet deri në fund të vitit të ardhshëm.

Indeksonline ka kontaktuar Valmir Gashin, nga Zyra për Informim në MASHT, për të kuptuar kur do të bëhen publike rezultatet.

“Rezultatet e testit PISA 2018 pritet të dalin në muajin nëntor/dhjetor të vitit 2019”, tha Gashi.

Kujtojmë se nxënësit kosovarë vitin e kaluar në të njëjtin test patën dalë shumë dobët, gjë që ngjalli shumë reagime e debate në media./Indeksonline/