08:11 / E premte, 17 Shkurt 2017

Histori, çfarë ka ndodhur më 17 shkurt?

Histori, çfarë ka ndodhur më 17 shkurt?

1568 - Perandoria e Shenjtë Romake pranon t’i paguajë haraç perandorisë Osmane kundrejt paqes. Ushtria osmane ishte më e madhja në Evropë, marina osmane kontrollonte të gjitha rrugët detare të Mesdheut lindor dhe kryeqyteti i saj Stambolli ishte pesë herë më i madh sesa Parisi. Burimet e perandorisë osmane dukeshin pa pafund; vrulli saj i pandalshëm; gjurmët e pushtimit në emër të Islamit të pashlyeshme, veçanërisht në Ballkan; Evropa e krishtere kërkonte medoemos paqe, kundrejt çdo çmimi në të holla.

1600 - Filozofi Giordano Bruno u dogj i gjallë në Campo de Fiori në Romë, i akuzuar për herezi. Ai kishte thënë se universi është i paskajshëm, duke sfiduar madje edhe Kopernikun sipas të cilit, Gjithësia kufizohej brenda sistemit tonë diellor (mbrapa diellit nuk kishte gjë tjetër).

1776 - Botohet vëllimi i parë i librit "Tkurrja dhe rënia e Perandorisë Romake" nga Edward Gibbon (1737 - 1794). Gibbon ishte historian anglez dhe anëtar i Parlamentit. Puna e tij më e rëndësishme, "Historia e tkurrjes dhe rënies së Perandorisë Romake", në gjashtë vëllime u botua mes viteve 1776 -1788. Libri është i njohur për prozën ironike dhe cilësore, përdorimin e burimeve primare, dhe kritikat e hapura ndaj fesë së institucionalizuar. Gibbon ishte ai që krijoi shprehjen mbi Shqipërinë si "një tokë që shihet nga brigjet e Italisë, dhe njihet më pak sesa brendësitë e Amerikës".

1801 - SHBA - Dhoma e Përfaqësuesve e prish barazimin e votave të kolegjit elektoral, dhe zgjedh president Thomas Jeffersonin ndaj kandidatit tjetër, Aaron Burr i cili sipas ligjeve të atëhershme, u bë nënpresident.

1904 - Opera e Giacomo Puçinit "Madam Butterfly" (Një tragjedi japoneze) shfaqet për herë të parë në Milano. Midis viteve 1915 - 1920, këngëtarja më e mirënjohur e operës në Japoni, Tamaki Miura fitoi famë ndërkombëtare për shfaqjet e saj si CIO-CIO San. Statuja e saj, së bashku me atë të Puçinit, ngrihen në Kopshtin Glover në Nagasaki, qytet ku ngjarja e përshkruar në opera ka ndodhur.

1972 - Presidenti amerikan Richard Nikson niset nga Uashington DC për vizitën historike në Kinë. Jehona e vizitës ishte e gjerë, dhe solli ndryshim të rëndësishëm në bilancën e Luftës së Ftohtë, SHBA me Kinën në krah kundër Bashkimit Sovjetik. Shprehja "Nikson po shkon në Kinë", përdoret tani si metaforë për një veprim të papritur ose të pazakontë nga një politikan.

2008 - Kosova shpall pavarësinë nga Serbia - ishte ditë e diel - kërkesa për njohje iu dërguan menjëherë të gjitha qeverive të botës. Përgjigja e parë erdhi të hënën më 18 shkurt 2008 nga Afganistani, që e njohu Kosovën si shtet të pavarur. Më 8 mars 2008, ministri i parë i Jashtëm që e vizitoi Kosovën ishte Carl Bildt i Suedisë. Anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, vazhdojnë të jenë të ndara; SHBA, Britania dhe Franca e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Rusia e ka kundërshtuar dhe Kina ka shprehur keqardhje. Edhe bota vazhdon të jetë e ndarë; Deri më 15 janar 2014, Republika e Kosovës kishte marrë 109 njohje diplomatike, prej të cilave;

107 vende të Kombeve të Bashkuara prej 193 anëtarësh (55.4%)

23 vende të Bashkimit Evropian prej 28 anëtarësh (82%)

24 vende të NATO-s prej 28 anëtarësh (86%)

35 vende të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik prej 57 anëtarësh (61%)

Qeveria e Serbisë nuk e njeh Kosovën si shtet sovran, por ka filluar të normalizojë marrëdhëniet me qeverinë në Prishtinë.

2012 - Presidenti i Gjermanisë, Christian Wulff, jep dorëheqjen lidhur me një skandal korrupsioni kur kishte qenë kryeministër i Saksonisë.

2012 - Rreth 70 objekte të lashta Olimpike u vodhën nga Muzeu Arkeologjik i Greqisë.

Lexo të tjera