15:17 / E Hënë, 15 Janar 2018 / indeksADMonline

Kurti: Masakra e Reçakut, vendimtare për bombardimet e NATO-së kundër Jugosllavisë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka përkujtuar 19 vjetorin e masakrës së Reçakut, duke bërë kështu homazhe pranë varreve të të vrarëve.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se ende janë të freskëta kujtimet nga janari i ftohtë i vitit 1999, ku u vranë 45 civilë shqiptarë.

Më tej ai ka shtuar se kjo masakër ishte vendimtare për bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë së Millosheviqit, transmeton Indeksonline.

“Gjaku i dëshmorëve dhe martirëve nuk humbet kurse emri i tyre nuk harrohet kurrë. Ende i kemi të freskëta kujtimet nga janari i ftohtë i vitit 1999. U vranë 45 civilë shqiptarë por edhe 11 ushtarë të UÇK-së të cilët po i mbronin kufomat që të mos rrëmbeheshin nga forcat serbe. E gjithë Kosova ishte tronditur kurse bota demokratike u pat alarmuar. Këtë herë NATO-ja duhej të ndërhynte për të parandaluar Srebrenicën e radhës e jo për të ndëshkuar pasi ajo të ketë ndodhur. Masakra e Reçakut ishte vendimtare për bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë së Milosheviqit. Sot, të gjithë ndajmë dhembjen e pikëllimin me familjarët të cilët humbën më të dashurit e tyre që populli të fitojë lirinë”, ka shkruar Kurti në Facebook./Indeksonline/