22:35 / E Martë, 10 Korrik 2018 / indeksADMonline

Kusari: Shoferi që sapo merr patentën në Kosovë, mund të vozisë një Porsche apo Maserati

Njazi Kusari, ekspert i komunikacionit, ka thënë se nuk ka ligje në botë që janë të përsosura, por individët e forcojnë ligjin.

Kusari në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se ligji duhet ta përcaktojë edhe llojin e automjetit që duhet ta vozisë drejtuesi i mjetit, pasi sipas tij nuk është e njëjtë të voziten vetura të shpejtësive të ndryshme dhe kubikazheve të ndryshme.

“Paramendojeni sikur një shofer i ri ta vozisë një automjet me 50 kuaj fuqi, është një katastrofë, por ligji ja mundëson këtë”, ka thënë ai, duke shtuar se dikush që sapo merr patentën mund ta vozisë edhe një Porsche apo Maserati.

Kusari, i cili ushtron edhe rolin e instruktorit, ka thënë se pagesa për këtë kategori është shumë e ulët, për të kërkuar kualitet.

“Instruktorët kanë paga minimale dhe nuk mund të kërkohet nga ta kualitet”, tha ai.

Njohësi i çështjeve të komunikacionit ka thënë se shenjat e trafikut në Kosovë janë të vendosura me vonesë.

“Në Kosovë synohet vetëm si të merret patenta. T’i ofrohet dikujt në Perëndim patentë shoferi, ai të ofendon, sepse ka një vetëdijesim kolektiv”.

Ai ka shprehur shqetësim që një numër i madh i shoferëve në Kosovë përdorin telefonat gjatë vozitjes.

“Kur një vozitës e përdor telefonin ai as nuk sheh rrugën e as nuk dëgjon zhurmat nga trafiku”, ka deklaruar Kusari.