20:43 / E Martë, 26 Qershor 2018 / indeksADMonline

Kushtetuesja e pakompletuar, kërkohet emërimi i shpejtë i gjyqtarëve

Gjykata Kushtetuese që nga mesi i muajit qershor ka mbetur pa tre anëtar të saj, për shkak të mos zgjedhjes së tyre në mungesë të kuorumit në Kuvendin e Kosovës.

Ditën e djeshme edhe Ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie pati kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të mos vonohet për zgjedhjen e tre anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Ai madje ka bërë apel që politika të mos përzihet në Kushtetuese.

“Politika nuk duhet të përzihet në Kushtetutë. Nuk bënë të ketë më vonesa: Kuvendi duhet të emërojë tre gjykatës të Gjykatës Kushtetuese tash. Gjykata më e lartë e Kosovës mund të funksionojë dhe të mbrojë sundimin e ligjit”, kishte shkruar Greg Delawie në “Twitter”.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa në një prononcim për Indeksonline, është shprehur se ky proces duhet të kryhet shpejt dhe të bëhet kompletimi i Gjykatës Kushtetuese.

Por ai ka theksuar se gjyqtarët e propozuar në seancën e kaluar të Kuvendit kanë dështuar duke mos marrë votat e mjaftueshme. Kurse sipas Beqës, kandidatët që janë rizgjedhur pritet që tashmë të shkojnë prapë për votim në seancë.

“Kjo është procedurë, gjyqtarët e propozuar seancën e kaluar kanë dështu duke mos marrë votat për me u bë Gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, prandaj është përsërit konkursi kështu që kanë konkurruar prapë. Janë shku në intervistë dhe ka mbet tashmë prapë me shku në seancë”, ka thënë Beqa.

Ndryshe, deputeti i Kuvendit të Kosovës ka thënë se kandidatët janë kredibil ashtu siç kanë qenë edhe herën e parë në konkurs, por sipas tij vota është vendimtare.

Rikujtojmë, që seanca e mbajtur më 18 maj për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka dështuar në mungesë të votave të mjaftueshme. Ku edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli pati paralajmëruar krizë të vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese pas 15 qershorit.

Kandidatë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese në seancën e 18 majit ishin Nexhmi Rexhpei, Remzije Istrefi- Peci, Hajzer Salihu, Safet Hoxha, Shkemb Manaj dhe Vigan Qorrolli./Indeksonline/