15:36 / E Enjte, 22 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Kuvendi i Kosovës sqaron largimin e gazetarit nga sigurimi i këtij institucioni (Foto)

Kuvendi i Kosovës ka reaguar për lajmin se një gazetar është larguar me forcë nga sigurimi i kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Sipas njoftimit, nuk bëhet fjalë për sigurimin e Veselit por të Kuvendit, transmeton Indeksonline.

E deri te kjo ngjarje, sipas njoftimit, ka ardhur për shkak se nuk lejohet qasja pa ftesë zyrtare.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të Kuvendit:

Sikur edhe në çdo seancë tjetër, gazetarët qëndrojnë në hollin e Kuvendit, dhe në hapësirat e dedikuara për ta, pas sallës së mbledhjeve plenare. Ndërkaq, në lozhën e sallës ku mbahen seancat qëndrojnë kameramanët dhe fotoreporterët.

Në çdo hapësirë tjetër të Kuvendit, çfarëdo zyre, në këtë rast edhe Zyra e Kryetarit të Kuvendit, nuk lejohet qasja kur nuk ka ftesë zyrtare dërguar për media apo takim të paracaktuar me kabinetin.

Pra, në një rrethanë të tillë, mediat nuk mund të kenë qasje në zyrat tjera, pa ftesë apo leje paraprake. Po ashtu, dëshirojmë të theksojmë se nuk ka qenë ‘sigurimi i kryetarit Veseli’ siç thuhet në raportime, që e ka larguar, por sigurimi i Kuvendit, që i përgjigjet Policisë së Kosovës. Për këtë ne kemi kërkuar edhe një raport nga Policia e Kosovës, të cilin e gjeni të bashkëngjitur.

Kuvendi i Kosovës mbetet i përkushtuar që të krijojë kushte sa më të mira për gazetarët dhe qasje sa më të madhe për kryerjen e detyrës së tyre. Por, po ashtu, gjithnjë në kuadër të bashkëpunimit, kërkojmë nga ta të respektojnë procedurat e parapara në Kuvend, ashtu siç ndodhë në çdo vend tjetër të botës.

/Indeksonline/