16:13 / E hënë, 11 Korrik 2016

Bajrami: MSA-ja mundëson qasje në treg prej 500 milionë konsumatorësh

Bajrami: MSA-ja mundëson qasje në treg prej 500 milionë konsumatorësh

Sot, në Prishtinë u zhvillua tryeza me temë: “Ndikimi i MSA-së në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e investimeve të huaja direkte në Kosove”, e organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike dhe Grupi për Studime Politike dhe Juridike dhe i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Prishtinë.

Kjo tryezë realizohet në kuadër të projektit “Promovimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) dhe lansimi i një debati publik mbi të ardhmen evropiane të Kosovës”, që ka për qëllim mbështetjen e Kosovës nga BE-ja në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit; sigurimin e një stabiliteti politik, ekonomik dhe institucional; përafrimin e legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së; si dhe mbështetjen e përpjekjeve të Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar. Po ashtu, një nga efektet pozitive të MSA-së do të jetë edhe rritja e investimeve të huaja direkte, që rrjedhimisht ndikon në krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen mirëqenies sociale si dhe zhvillimin e faktorëve të cilët tërheqin kapitalin e huaj dhe krijimin e një klime të përshtatshme për investime, që janë potencial për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

 Në fjalën e saj, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se ne do të diskutojmë edhe për sfidat që do të sjellë MSA-ja si dhe për adresimin e sfidave të bizneseve dhe që njëherësh janë edhe sfida për shoqërinë në përgjithësi. Më tej ajo shtoi se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është një mundësi tepër e mirë për të gjithë, e sidomos për bizneset e Kosovës, por padyshim se ka edhe kritere në mënyrë që ndërmarrjet tona t’i qasen tregut të BE-së. “MSA-ja është shumë e rëndësishme edhe në aspektin politik, sepse është marrëveshja e parë kontraktuale me BE-në e cila na mundëson qasje në një treg prej 500 milionë konsumatorësh.”

Ajo ripotencoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është angazhuar vazhdimisht që të përmirësojë ambientin e biznesit. “Është qeveria e parë, që mbase përmirësimin e ambientit të biznesit e ka marrë shumë seriozisht, dhe si rezultat i saj janë mobilizuar një numër i madh i ministrive dhe institucioneve të nivelit qendor dhe lokal, të cilat kanë punuar, me përkujdesjen edhe të donatorëve, në përmirësimin e ambientit të biznesit. Pra, të gjithë këta faktorë, ministri relevante kanë marrë përgjegjësi që të heqin të gjitha barrierat, të cilat i kemi hasur e që paraqesin pengesë në zgjerimin e bizneseve”, u shpreh ministrja Bajrami.

 Sipas ministres Bajrami, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit do ta bëjë shumë herë më atraktive Kosovën karshi investitorëve potencialë, të cilët shikojnë t’i investojnë resurset e tyre në Kosovë. “Ka pasur shumë indikacione, sidomos gjatë këtij viti, të shumë kompanive, qoftë atyre që kanë kryer investimet, qoftë të tjerave të cilat janë në përfundim e sipër të investimeve të tyre, sepse ato sot përpos shfrytëzimit të fuqisë punëtore, politikave të favorshme fiskale dhe një ambienti të mirë të biznesit, që po mundohemi t’u ofrojmë, ato e kanë edhe qasjen tepër të mirë dhe pa tarifa doganore dhe pa barriera në tregun e BE-së, dhe se kjo do të ndikojë pozitivisht”, tha ministrja Bajrami.

 Ajo në fund të fjalës së saj përmendi edhe funksionalizimin e Fondit për Garanci Kreditore, i cili tashmë mundëson një qasje të lirë në financa për bizneset, si dhe projektet tjera të cilat kanë filluar të implementohen në MTI, të cilat kanë për qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së kompanive kosovare, lehtësimin e tregtisë si dhe certifikimin e produkteve kosovare me certifikata të njohura ndërkombëtarisht duke u hapur rrugë për në tregjet e BE-së. 

Lexo të tjera