16:16 / E mërkurë, 13 Shtator 2017

AAK tregon nëse në Kuvend do të veprojnë si grup parlamentar i ndarë

AAK tregon nëse në Kuvend do të veprojnë si grup parlamentar i ndarë

NISMA për Kosovën gjatë ditës së sotme vendosi përfundimisht që të ndahet nga koalicioni PAN, për sa i përket grupit parlamentar. Kjo parti tash e tutje në Kuvend do të jetë e ndarë nga PAN dhe për shef të grupit parlamentar është caktuar deputetin Bilall Sherifin.

Partia tjetër pjesëmarrëse në këtë koalicion, AAK ende nuk ka vendosur si do të veprojë në parlament, si grup i ndarë parlamentar apo si koalicion.

Teuta Haxhiu, deputete e AAK-së tha për Indeksonline se ende nuk kanë biseduar për këtë çështje brenda partisë. Por, ajo thekson se qysh nga fillimi, mendimi i saj ka qenë që në parlament të veprojnë si grupe të veçanta parlamentare.

“Momentalisht ne nuk kemi bisedu ende si grup, mirëpo mendimiim personal ka qenë prej fillimit, është shumë e drejtë dhe duhet të funksionojmë si grup parlamentar i ndarë. Në fund të fundit ashtu edhe jemi votuar dhe është krejt normale, kështu do duhej të kontribuojmë në kuvend, sigurisht si pjesë e pozitës por gjithsesi si grup parlamentar i ndarë”, tha Haxhiu.

E pyetur se kur pritet të merret një vendim për këtë çështje, Haxhiu u shpreh se ditët në vijim do të takohen me bashkëpartiakët dhe do vendosin.

“Sigurisht edhe ne do të takohemi për të vendosur këtë gjë, por mendimi im personal është që Aleanca të shkojë si grup parlamentar i veçantë”, shtoi tutje deputetja e AAK-së./Indeksonline/

Lexo të tjera