16:55 / E premte, 19 Maj 2017

Ahmeti: BDI e përkushtuar për zbatimin e reformave

Ahmeti: BDI e përkushtuar për zbatimin e reformave

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka thënë të premten se partia që ai drejton është e përkushtuar për zbatimin e reformave e kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar dhe integrimin në strukturat euro-atlantike.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me zv. ambasadoren e SHBA në Shkup, Micaela Schweitzer-Bluhm dhe ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoni, Samuel Zhbogar, i cili është mbajtur në Ambasadën Amerikane në Shkup.

Në takim u bisedua për formimin e qeverisë së re reformuese me ç’rast kryetari Ahmeti përsëriti që BDI është i përkushtuar tërësisht për t’i zbatuar reformat e kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar, integrimin në NATO dhe BE, marrëdhënie të mira ndëretnike, por edhe zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës.

Ai tha se hapat e parë që do t’i ndërmarrë shumica e re parlamentare janë zgjidhja e ngërçit me pushtetin lokal dhe shfuqizimi i testimit ekstern si dy çështje imediate.

Duke përkujtuar se që në 16 vite veprimtarie në kuadër të BDI-së, asnjëherë s’ka pasur zhgënjim në qëndrimet miqësore dhe dashamirëse të komunitetit ndërkombëtar, kreu i BDI-së kërkoi ndihmën e SHBA-ve dhe BE-së për tejkalimin e sfidave dhe në integrimin e shpejtë të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Temat:
Lexo të tjera