11:24 / E enjte, 12 Janar 2017

Alarmante: Momentalisht Prishtina qyteti me ajrin më të ndotur në botë

Alarmante: Momentalisht Prishtina qyteti me ajrin më të ndotur në botë

Ka vite që organizata të ndryshme vendore e të huaja kanë tërhequr vërejtjen për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit në Kosovë, me theks të veçantë në Prishtinë – si vendi më i banuar në Kosovë.

Në fund të 2016-së, zyrtarët e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës kanë njoftuar se në dy ditët e fundit në Prishtinë është shënuar ngritje më e madhe e vlerave të ndotjes.

Kështu, ajri në Prishtinë ka grimca të pluhurit të suspenduara në ajër, të ashtuquajtura grimca PM10 dhe PM2.5, të cilat i tejkalojnë vlerat e lejuara sipas standardeve vendore dhe ato të BE-së, transmeton Telegrafi.

Për këtë ndotje që ndikon keq në shëndetin e qytetarëve, ka reaguar me protesta shoqëria civile, por gjendja nuk ka ndryshuar. Madje, ajo është rënduar. Kështu, sipas një faqeje që bën monitorimin e ndotjes së ajrit në kohë reale në kryeqytete të shteteve dhe rajoneve, Prishtina në këto çaste del të jetë më i ndoturi në botë.

Sipas faqes, Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI) është në vlerën 303. Ndërkaq, vlerësimi i ajrit për vlerat e këtij indeksi është si vijon: 0 deri 50 (e mirë), 51 deri 100 (mesatare), 101 deri 150 (e pashëndetshme për grupet e ndjeshme), 151 deri 200 (e pashëndetshme), 201 deri 300 (shumë e pashëndetshme) dhe 301 deri 500 (e rrezikshme). Pra, ndotja e ajrit në Prishtinë është në rrezikshmërinë e lartë. 

Lexo të tjera