16:34 / E premte, 21 Prill 2017

ATK: Do të ndryshojë forma e projektit me kuponë fiskal

ATK: Do të ndryshojë forma e projektit me kuponë fiskal

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar  qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët mbledhin  kuponët fiskal  se janë duke punuar rreth një forme të re për projektin e kuponëve fiskal.

Në një përgjigje për Indeksonline, Zëdhënsja për informim e ATK-së, Valentina- Bytyqi-Sefa  ka treguar se ende nuk është zyrtare, por se pas këtij tre mujori forma e këtij projekti do të ndryshojë e cila do të jetë më e favorshme për qytetarët.

“Në fakt ende nuk është zyrtarizuar kalimi në platformën e re të nxitjes së qytetarëve për të kërkuar kuponë fiskal. Mirëpo, jemi duke punuar rreth finalizimit të formës së re, e cila konsiderojmë se do të jetë edhe me e lehtë dhe me e favorshme për qytetarët”,ka thënë Bytyqi-Sefa.

Më tej ajo ka thënë se është i pamundur vazhdimi i formës së vjetër për arsye se interesimi i qytetarëve është vazhdimisht në rritje e sipër.

“ATK-ja për të vazhduar tutje me formën aktuale është e pamundur, pasi që interesimi i qytetarëve është vazhdimisht në rritje, dhe për verifikimin e një numri kaq të madh të plikove duhet staf shtesë, po ashtu edhe mjete financiare”, është shprehur më tej ajo.

Në fund kujtojmë se për periudhën e TM4 2016, numri i qytetarëve të cilëve u janë përcjell plikot për rimbursim është 299,632 ndërsa shuma e rimbursuar deri me tani është 5,678,545 euro. Ndërsa, vetëm për TM1 2017 deri me tani janë pranuar 215, 146 pliko dhe janë verifikuar 20, 977./Indeksonline/(Ardian Beka)

Lexo të tjera