23:20 / E shtune, 12 Gusht 2017

Deputeti i LDK-së: LAA-ja është e qëndrueshme, PAN po e bllokon seancën

Deputeti i LDK-së: LAA-ja është e qëndrueshme, PAN po e bllokon seancën

Përkundër dilemave që ka ngritur kreu i AKR-së Behgjet Pacolli për një bashkim me koalicionin PDK-AAK-Nisma, duket se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Të paktën kështu thotë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Zemaj ka deklaruar se koalicioni LDK-AKR-Alternativa është i qëndrueshëm.  Ai ka shtuar se Pacolli mund t`i ketë mendimet e veta rreth formimit të qeverisë gjithëpërfshirëse, por që ai nuk është treguar i gatshëm t`i bashkohet PDK-së.

“E rëndësishme është që koalicioni LAA është konsistent, është i qëndrueshëm dhe kërkesa e saj është që të vazhdohet me krijimin e institucioneve duke marrë parasysh që PAN-i është i obliguar që të paraqesë kandidaturat e Kuevndit dhe njëherit të kërkojë votën në seancën plenare. Pacolli edhe më herët ka deklaruar se e ka një koncept tjetër që është gjithëpërfshirës për daljen nga kjo situatë, por deri më tani asnjë grup politik nuk është treguar që është i gatshëm të shkojë aty ku është PDK-ja”, ka thënë ai.

Sipas tij, kërkesa e Pacollit për t`i krijuar institucionet nënkupton lëvizjet nga gjendja aktuale, por jo krijimin e një blloku të ri, apo daljen e AKR-së nga LAA.

Lidhur me hyrjen në Kuvend si grupe të vetme parlamentare, deputeti i LDK-së ka thënë se në partinë e tij ka hapësirë që secili ta japë kontributin si deputet i zgjedhur.

Megjithatë, Zemaj e konsideron normale futjen e partive të koalicionit si grupe të vetme në Kuvend.

“Grupet parlamentare krijohen pas konstituimit të Kuvendit. Tek atëherë 6 deputetë e më shumë mund të krijojnë grup parlamentar. Për mua është shumë normale, por mendoj që edhe brenda LDK-së do të jetë hapësira e nevojshme që ata mund ta kryejnë veprimtarinë e tyre politike në bazë të afrimit të programit ashtu si kanë ardhur si deputetë në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Zemaj ka komentuar mos prezencën e deputetëve të PAN-it në seancën konstituive të Kuvendit. Sipas tij, kjo ka treguar se janë vetë PAN-i që po e bllokojnë krijimin e institucioneve. /Indeksonline/

Temat:
Lexo të tjera