23:18 / E diel, 24 Shtator 2017

Do të duhen disa muaj për kthimin e energjisë pas uraganit në Porto Riko

Do të duhen disa muaj për kthimin e energjisë pas uraganit në Porto Riko

Porto Riko po përballet me një krizë tejet të madhe pas dëmeve të shkaktuara nga uragani “Maria”, e cila ka lënë thuajse të gjithë ishullin pa ujë, pa energji elektrike dhe pa shërbime telefonike.

E gjithë popullsia është ende pa energji, ndërsa inxhinierët thonë se do të duhen muaj derisa ky shërbim të rikthehet. Ndërkohë, diga e rrezikuar për t’u shembur që prej së premtes mbetet ende një problem për banorët.

Dërgesat me ushqime, ujë dhe gjeneratorë kanë nisur të mbërrijnë në portin kryesor në San Juan, i cili është rihapur. Të paktën 13 vetë kanë humbur jetën që kur “Maria” goditi Porto Rikon, territor amerikan në Karaibe.

Stuhia, e cila tashmë i drejtohet ujërave të hapura në perëndim të Atlantikut, shkaktoi përmbytje masive dhe dëmtime të mëdha strukturash. U prish edhe rrjeti telefonik anembanë ishullit, ndërsa zyrtarë nga Agjencia federale e Menaxhimit të Emergjencave thonë se do të çojnë atje telefona satelitorë.

Pemët e rëna kanë bllokuar pjesën më të madhe të autostradave, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e shtëpive janë pa çati, përveçse të goditura nga përmbytjet. Zyrtarët e këtij ishulli thonë se ka ende rrezik përmbytjesh nga lumi kryesor i Porto Rikos, Guajataca, si pasojë e shembjes së mundshme të digës.


Lexo të tjera