08:05 / E enjte, 12 Tetor 2017

Fitili mbetet i ndezur, mesazhi që lideri i Katalonjës i dha kryeministrit spanjoll

Fitili mbetet i ndezur, mesazhi që lideri i Katalonjës i dha kryeministrit spanjoll

Më e keqja u shmang. Ndoshta nuk do të duhet një provë force e menjëhershme, por është po aq e vërtetë se nuk është zgjidhur asgjë, sepse në këtë pikë duhet që kreu i qeverisë spanjolle, Mariano Rajoy të shfaqet edhe më i mprehtë, se sa ishte më 10 tetor, kreu i ekzekutivit katalanas, Charles Puigdemont.

Indipendentist që në adoleshencë, Puigdemont arriti të ripohojë të drejtën e pavarësisë së Katalonjës, duke u mbështetur në rezultatet e referendumit të 1 tetorit, duke propozuar në të njëjtën kohë që të “pezullohet” zbatimi i kësaj shpalljeje të pavarësisë (e cila nuk është bërë zyrtarisht), për të filluar negociatat dhe për të gjetur një zgjidhje të dakordësuar reciprokisht të cilës, megjithatë, nuk ia ka saktësuar natyrën. Shkurt, Puigdemont ka thënë gjithçka dhe të kundërtën e gjithçka. Secili mund të interpretonte fjalët e tij si të donte, aq të paqarta ishin. Qeveria spanjolle nuk gaboi, kur e përshkroi si “të papranueshme” një “shpallje të pavarësisë të ndjekur nga një pezullim eksplicit”. Me sa duket, pikërisht kështu ndodhi. Pavarësia u la të kuptohet, por pezullimi i saj ishte aq i qartë, saqë Madridi nuk mund të zgjedhë kollaj që të ndjekë Nenin e administrimit të drejtpërdrejtë të Katalonjës, duke ia shfuqizuar autonominë e tanishme.

Shtytje drejt tratativave

Ky është mesazhi që Puigdemont i dërgoi Mariano Rajoyt: Madridi duhet të pranojë tratativën, që deri tani e ka shmangur gjithmonë, sepse përndryshe nis në anën e gabuar. Sipas presidentit katalanas, nuk ekziston më asnjë arsye për të mos u ulur në tryezën e negociatave, duke patur parasysh që ka patur një shpallje formale të pavarësisë. Puigdemont u tregua shumë i zoti. Po çfarë mund të bëjë në këtë pikë qeveria spanjolle? Rajoy nuk mund të bëjë haptaz tratativa me indipendentistët. Edhe po të donte ta bënte, baza e tij, ajo e të djathtës spanjolle, nuk do ia lejonte. Madridi nuk mundet as të përdorë forcën, pa u ekspozuar përballë risqeve të mëdha, sepse fjalimi i Puigdemont nuk ofroi një pretekst për të kaluar në veprim. Dhe kështu kthehemi në nyjën e problemit, e qartë që në fillim të kësaj krize. Mes spanjollëve dhe katalanasve, ose më saktë mes kunërshtarëve dhe mbështetësve të pavarësisë, është i domosdoshëm një ndërmjetësim që lejon gjetjen e një kompromisi, një formë pavarësie në ndërvarësinë, për të cilën katalanasit do të duhej më pas të shpreheshin në një referendum, këtë herë të ligjshëm.

Nëse mbërrijmë në këtë pikë, nuk do të kemi ndarjen e Spanjës, sepse zgjedhësit nuk do ta mbështesnin. Por që kjo të bëhet, duhet që kryeqytetet evropiane të ofrojnë kontributin e tyre. Nuk ka asnjë minutë për të humbur, sepse fitili mbetet ndezur.

Lexo të tjera