11:39 / E enjte, 12 Tetor 2017

Gërmimet në Suhadoll, dyshohet edhe për një trup tjetër të gjetur

Gërmimet në Suhadoll, dyshohet edhe për një trup tjetër të gjetur

Gërmimet në kërkim të mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë janë duke vazhduar ende. Këto gërmime të cilat kanë nisur dje në Suhadoll të Mitrovicës, po vazhdojnë edhe sot e që pritet të zgjasin edhe disa ditë tjera. Kështu ka deklaruar për Indeksonline, Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit për Personat e pagjetur.

“Momentalisht jemi në Suhadoll. Janë duke vazhduar gërmimet. Kemi shenja të një trupi që po gjendet këtu. Këto punime do të vazhdojnë derisa të vlerësohet  e tëra hapësira për të cilën dyshohet se ka varreza tjera masive e që nuk është vlerësuar më parë”, ka thënë Gjetaj.

Gjetaj ka treguar edhe për disa lokacione të tjera për të cilat ka informacione për varreza masive.

“Janë varrezat myslimane atje te pjesa veriore, ato do t’i shohim në vazhdim pasi kemi informacione lidhur me to dhe se do të punohet gjatë. Por për momentin jemi në Suhadoll dhe e tërë hapësira nuk përfundon sot”, ka shtuar Gjetaj për Indeksonline.

Gjetaj ka thënë se përveç mbetjeve mortore të një trupi, po dyshohet edhe që një trup tjetër mund të jetë afër, por që ende nuk mund të konfirmojnë këtë zyrtarisht.

Ndryshe, sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, janë të zhdukur 1 mijë e 666 persona që edhe pas 18  të përfundimit të luftës në Kosovë, ende nuk janë gjetur./Indeksonline/ 

Lexo të tjera