22:58 / E diel, 20 Gusht 2017

Grabiti dy persona teksa bënin kontrollin fizik, shkodrani zhduket nga Rinasi sa “hap e mbyll sytë”

Grabiti dy persona teksa bënin kontrollin fizik, shkodrani zhduket nga Rinasi sa “hap e mbyll sytë”

Dy qytetarë që po prisnin orarin e nisjes së avionit në Aeroportin e Rinasit, kanë denoncuar se u kanë vjedhur sendet personale, brenda në terminal. Ngjarjet kanë ndodhur rreth orës 10:00 të mëngjesit të djeshëm, në zonën e kontrollit fizik të aeroportit dhe janë denoncuar menjëherë në Komisariatin e Kufirit dhe Migracionit të Rinasit.

Rasti i parë është denoncuar nga një 43- vjeçar, i cili pasi ka bërë kontrollin fizik, është ulur në lokalin që ndodhet në brendësi të terminalit. Por aty ka kuptuar që i kishin vjedhur çantën, ku kishte sendet e tij personale dhe një shumë prej rreth 2 mijë eurosh.

Pasi ka kërkuar çantën me ndihmën e punonjësve të sigurisë së aeroportit, shtetasi me iniciale A.A., nga Tirana, është paraqitur në Komisariat ku ka denoncuar ngjarjen. E menjëherë pas tij, një tjetër qytetar ka ngritur të njëjtin pretendim.

Burimet thanë se shtetasi me iniciale S.Z., 41 vjeç, nga Fieri, ka kallëzuar se kur po kryente kontrollin fizik në aeroport, i kanë vjedhur celularin. Policia ka kërkuar menjëherë këqyrjen e kamerave të sigurisë, në zonën ku kishin ndodhur dy vjedhjet.

Burimet thanë se nga verifikimet është arritur të identifikohet autori i dyshuar i vjedhjeve. Ai është një qytetar nga Shkodra, me inicialet P.D., 50 vjeç, i cili po ashtu ishte udhëtar dhe do të shkonte drejt Italisë.

Me gjithë nxitimin për të mbaruar shpejt procedurat, këqyrjen e kamerave dhe identifikimin e autorit, 50-vjeçari ka pasur mjaftueshëm kohë për t’u larguar. Në momentin që Policia ka zbuluar identitetin, autori ishte në fluturim me avionin e linjës ajrore Tiranë – Romë. /albeu.com/

Temat:
Lexo të tjera