18:29 / E premte, 21 Prill 2017

Isa Mustafa premton së shpejti funksionalizimin e aeroportit të ri

Isa Mustafa premton së shpejti funksionalizimin e aeroportit të ri

Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, bashkë me menaxhmentin dhe bordin e aeroportit të Gjakovës kanë pritur sot për vizitë në aeroport, kryeministrin Isa Mustafa, ministrin e Infrastrukturës Lutfi Zharku, ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli si dhe përfaqësues të aviacionit civil të Kosovës.

 Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, është shprehur se gjatë takimit të përbashkët me kryeministrin dhe ministrat kanë diskutuar për mundësitë dhe format e funksionalizimit të aeroportit të Gjakovës duke propozuar konkretisht hapat e ardhshëm që do të ndërmerren brenda një afati shumë të shkurtër ku ne si komunë dhe menaxhmenti i aeroportit do të propozojmë rekomandimet për aktivitetet që duhet të ndërmerren në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme për funksionalizimin e aeroportit të Gjakovës. “Më konkretisht kemi propozuar që të formohet një komision brenda Qeverisë së Kosovës i cili do të punojë në çështjen e funksionalizimit të aeroportit, po ashtu në bashkëpunim me donatorët do të kërkojmë mbështetje për realizimin e studimit të fizibilitetit që do të përcjellë më tutje procesin e funksionalizimit, si dhe qeveria e Kosovës të fascilitoj procesin e shpronësimit me AKP-në për pronat e aeroportit” ka thënë më tutje Kusari-Lila.

 Kryeministri Isa Mustafa, ka theksuar se është këtu për herë të dytë në vizitë të aeroportit përderisa është fjala për një aset tepër të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të Gjakovës dhe të Kosovës, për të cilin është në interes të qeverisë së Kosovës që këto asete të aktivizohen dhe të mos lihen pasive. Kryeministri Mustafa, ka shtuar që gjatë takimit të përbashkët janë dakorduar që të punojnë intesivisht së bashku me ministritë përkatëse dhe agjencionet qeveritare po ashtu edhe me komunën, bordin dhe menaxhmentin e aeroportit që të gjenden alternativat më të mira të funksionalizimit të aeroportit. “Ne si qeveri e kemi marrë për obligim që të sigurojmë financimet që bordi, menaxhmenti dhe administrata e aeroportit të vazhdojnë dhe të kenë mundësi të punojnë deri sa ne të gjejmë alternativat më të mirat drejt funksionalizimit të aeroportit ” ka shtuar në fund, Kryeministri Mustafa.

 Ndryshe, në këtë takim të përbashkët, nga ana e drejtoreshës së aeroportit të Gjakovës, Vlora Gojani, është prezantuar në detaje gjendja aktuale, asetet dhe potenciali i aeroportit të Gjakovës duke i njoftuar nga afër përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës për potencialin dhe mundësitë e zhvillimit të aeroportit. Po ashtu, përfaqësuesit e autoritetit të aviacionit civil të Kosovës, kanë njoftuar të pranishmit që pas një auditimi që është bërë nga ana e aviacionit civil të pajisjeve, dhe infrastrukturës në tërësi të aeroportit, është mbresëlënëse gjendja e mirë e të gjitha pajisjeve, infrastrukturës si dhe dokumentacionit të lënë nga Italianët. Për çfarëdo zgjidhje që propozohet nga qeveria, pista e aeroportit të Gjakovës është e gatshme të pranoj aeroplanët e parë.

Lexo të tjera