23:08 / E martë, 10 Tetor 2017

Ja kur nis furnizimi me ngrohje nga Termokos

Ja kur nis furnizimi me ngrohje nga Termokos

Ashtu siç e parashohin ligjet në fuqi, Termokos do fillojë furnizimin me ngrohje për konsumatorët e saj këtë të dielë, më 15 tetor.

Zëdhënësja e Termokos-it, Afërdita Uka-Fejzullahu ka sqaruar për “Indeksonline” se cila procedurë ndiqet për të filluar furnizimin me ngrohje.

“Termokos Sh. A, është i obliguar të furnizojë me ngrohje konsumatorët e vet. Nëse temperatura e jashtme e matur në orën 21:00 në zonën e mbuluar prej ndërmarrjes për tri ditë rresht regjistrohet më e ulët se 12 gradë Celsius, atëherë konsiderohet se janë plotësuar parakushtet klimatike për të filluar furnizimin me ngrohje sipas afatit të përcaktuar ligjor, do të thotë më 15 tetor”, ka thënë ajo.

Uka-Fejzullahu ka deklaruar se të gjitha përgatitjet dhe kushtet janë përfunduar.

“Përndryshe, rikonfirmojmë se tanimë janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për një fillim dhe një sezon sa më të mbarë ngrohës, ndërkohë që departamentet përkatëse të NP “Termokos” Sh.A janë duke përcjellë në vazhdimësi lëvizjen e temperaturave të ajrit për të vlerësuar përmbushjen e parakushteve klimatike për fillimin e furnizimit me ngrohje”, është shprehur ajo.

Ndryshe, ligjërisht, sezoni i ngrohjes mbaron më 15 prill të vitit vijues.

Kujtojmë se vitin e kaluar, Termokos pasi kishte ndalur furnizimin me ngrohje ishte detyruar ta lëshojë atë prapë pas 4 ditësh, për shkak të temperaturave të ulëta.

Atëkohë, Uka-Fejzullahu pati deklaruar se Termokos-it i lejohet të lëshojë ngrohjet kurdo që është e nevojshme, meqë e lejojnë edhe ligjet./Indeksonline/

Lexo të tjera