12:04 / E premte, 13 Tetor 2017

KDI publikon dy raporte nga monitorimi i zgjedhjeve të 11 qershorit

KDI publikon dy raporte nga monitorimi i zgjedhjeve të 11 qershorit

Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar dy raporte nga monitorimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura me 11 qershor të këtij viti.

Raporti i parë ka të bëjë me monitorimin e vëzhgimit të fushatës zgjedhore dhe mbarëvajtjes së procesit të zgjedhjeve, ndërsa, raporti i dytë ka të bëjë për monitorimin e mediave gjatë fushatës.

Albert Krasniqi nga KDI-ja, tha se nga raportet del se ka pasur përparime në këto zgjedhje, porse ende ka sfida të shumta.

“Disa prej aspekteve pozitive të cilat kanë qenë në këto zgjedhje, ka qenë një koordinim i mirë i institucioneve që merren me aspektet e organizimit të zgjedhjeve dhe drejtësisë zgjedhore. Si koordinimi mes KQZ-së, Policisë dhe Prokurorisë së Shtetit. Po ashtu efikasitetin e PZAP-së në adresimin e ankesave për shkeljet e rregullave të fushatës zgjedhore. Po ashtu fushata zgjedhore përgjithësisht ka qenë e përmbajtur edhe nga gjuha e urrejtjes që nuk janë shkaktuar në masë që do të mund ta dëmtonin procesin zgjedhor. Po ashtu edhe pranimi i rezultatit nga subjektet politike është një tregues i nivelit të lartë të besimit të procesit zgjedhor”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se sfidat ende vazhdojnë të mbesin më shumë në numër, që duan trajtim të shpejt në mënyrë që të eliminohen në zgjedhjet tjera.

“Ndër kryesoret mbeten fletëvotimet e pavlefshme, fillimi me vonesë i fushatës për informim dhe vetëdijesim të votuesve nga ana e KQZ-së, trajnimet jo cilësore për komisionarët, problemet teknike për regjistrimin e votuesve nga jashtë, problemet me listën e votuesve ku shumë persona që kanë ndërruar jetë janë gjendur në lista të votuesve, pastaj ka pasur frikësim dhe presion të votuesve të komunitetit serbe, përdorim i resurseve publike për qëllime të fushatës zgjedhore, prani e fëmijëve në fushatë dhe numri i ulët i grave në trupat e menaxhimit të votave. Siç shihet sfidat janë me shumë se aspektet pozitive”, theksoi Krasniqi.

Edhe në zgjedhjet e  11 qershorit, Krasniqi tha se shfrytëzimi i resurseve publike ishte evident. Sipas raportit të KDI-së, në total janë evidentuar 57 vetura zyrtare që janë përdorur gjatë fushatës dhe 49 shërbyes civil që janë parë në aktivitetet e partive politike, në vend se të ishin në vendin e punës.

Krasniqi ka ripërseritur nevojën e madhe që ka Kosova për reformën zgjedhore, porse sipas Krasniqit, është mungesa e vullnetit nga liderët e partive politike ajo që po e pengon reformën. Ai theksoi se reforma nuk duhet të jetë iniciativë vetëm e një partie por e gjithë spektrit politik.

Ndërsa, Gersi Gashi nga Lëvizja Fol që ka qenë pjesë e Demokracia në Veprim ka paraqitur raportin e monitorimit të mediave. Ai tha se pjesë e monitorimit kanë qenë pesë televizionet, RTK, KTV, RTV21, Klan Kosova dhe RTK2. Ndërsa, pjesë e monitorimit ishin të gjitha gazetat e shkruara dhe disa që dalin edhe elektronike, duke përfshirë edhe ato serbe.

“Të gjeturat e përgjithshme nga televizionet tregojnë se nga e gjithë fushata ka qenë tetë tore e gjysme kur është regjistrua zëri i deputetëve kur kanë folur dhe 18 orë e gjysmë kur kanë qenë kronika zgjedhore. Nga to kanë qenë 2704 spote televizive apo 86 orë në total, ku 50 për qind e spoteve kanë qenë individuale ku kandidatët për deputetë kanë pasur reklama që kanë kërkuar votën për ta specifikisht, ndërsa 50 për qind tjera kanë qenë reklama për partinë. Në minutazh në kronika zgjedhore LDK ka pasur hapësirën me të madhe në media me 28. 9 për qind, nuk është matur konotacioni, pavarësisht nëse kanë qenë mirë apo keq, pastaj ka qenë Vetëvendosje me 23.7 për qind, AAK e PDK”, tha Gashi.

Ai tha se nga kandidatët për kryeministër, Avdullah Hoti ka pasur më së shumti mbulueshmëri, pastaj Albin Kurti dhe më së paku Ramush Haradinaj.

Lexo të tjera