20:15 / E diel, 13 Gusht 2017

KE: Shqiptarët, optimist për situatën ekonomike

KE: Shqiptarët, optimist për situatën ekonomike

Sipas Komisionit Evropian, pjesa më e madhe e shqiptarëve mendojnë se situata ekonomike e vendit është e mirë. Përfundimi ka dalë nga një vrojtim, i kryer nga eurobarometër, për llogari të Komisionit Evropian.

Sipas vrojtimit, 55 për qind e shqiptarëve mendojnë se gjendja ekonomike e Shqipërisë është përgjithësisht e mirë, 44 për qind e vlerësojnë atë përgjithësisht të keqe, ndërsa 1 për qind nuk ka dhënë asnjë vlerësim. Eurobarometër ka pyetur 1083 veta, gjatë periudhës nga 20 deri në 28 maj të këtij viti, që përkon me çeljen e fushatës elektorale. Intervistat janë zhvilluar ballë për ballë dhe rezultatet u publikuan në faqen zyrtare të Komisionit Evropian dy ditë më parë. Ky është një vrojtim periodik, që komisioni e bën për të gjitha vendet anëtare dhe ato kandidate. Sipas tij, krahasuar me vjeshtën e vitit të kaluar, pjesa e shqiptarëve që e vlerësojnë të mirë gjendjen ekonomike është rritur me 20 pikë përqindje. Por rezultati më surprizë, është se shqiptarët e vlerësojnë më pozitivisht ekonominë edhe se sa qytetarët e vendeve të bashkimit evropian, ndonëse i kanë të ardhurat për frymë 3.3 herë më pak se ta.  Sipas vrojtimit, në BE, janë vetëm 45 për qind e qytetarëve që e vlerësojnë si të mirë situatën ekonomike të vendit të tyre, ndërsa 51 për qind mendojnë se ajo është e keqe.

Lexo të tjera