13:27 / E enjte, 12 Tetor 2017

KMDLNj reagon ndaj deklaratës së Apostolovës për burgjet

KMDLNj reagon ndaj deklaratës së Apostolovës për burgjet

Kështilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka reaguar ndaj deklaratës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, duke mohuar se Kosova ka burgje të mbipopulluara dhe që përballen me radikalizëm dhe dhunë.

Sipas KMDLNj-së, kjo deklaratë nuk përkon me realitetin nëse mbështetemi nga të dhënat monitoruese nga OJQ –të që monitorojnë këto institucione.

KMDLNj thotë se krahasuar me vendet e rajonit por edhe të vendeve me një demokraci të zhvilluar dhe të qëndrueshme, në burgjet e Kosovës , përdorimi i dhunës ndodhë jashtëzakonisht rrallë dhe nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si tregues i besueshëm sepse krijon një opinion që nuk është në përputhje me realitetin duke i shqetësuar familjarët e të privuarve nga liria.

Reagim i KMDLNj-së:

Kosova nuk ka burgje të mbipopulluara, radikalizmi përdoret për qëllime politike dhe nuk ka dhunë si fenomen

Bashkimi Evropian ka lancuar projektin me vlerë 2 milionë euro që ka për qëllim përmirësimin e kushteve në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe ngritjen e standardeve në gjyqësor me ç’rast përfaqësuesja e BE –së deklaroi se Kosova ka burgje të mbipopulluara dhe që përballen me radikalizëm dhe dhunë e që në fakt nuk përkon me realitetin nëse mbështetemi nga të dhënat monitoruese nga OJQ –të që monitorojnë këto institucione. Mbipopullimi është fenomen që i takon së kaluarës dhe në Kosovë është e theksuar një çasje e mbrapshtë e ndërtimit të kapaciteteve të reja të burgjeve , në shpërputhje të madhe me nevojat që i ka Kosova , duke e krijuar një përshtypje se shoqëria kosovare është shumë e kriminalizuar.

Nëse kemi parasysh faktin se numri i të privuarve nga liria, brenda një viti kalendarik është 1800 – 1900 individë, kapacitetet ekzistuese janë shumë më të mëdha se që realisht duhen për vendosjen e personave të privuar nga liria. Me ndërtimin e dy qendrave të paraburgimit në Hajvali dhe Gjilan , me një kapacitet afërsisht 640 vende, me kapacitetet e Q. P në Mitrovicë, Pejë dhe Prizren afërsisht 200 vende, Dubrava me më shumë se 1400 vende, Smrekonica me afërsisht 250 vende, Burgu i Sigurisë së Lartë në Gërdoc më së paku 300 – 350 vende, Qendra Korrektuese  për të Mitur dhe Femra me kapacitet 120 – 150 vende sigurohen 3200 – 3400 vende që është tejkalim i madh i nevojave si dhe shpenzime të panevojshme që lirisht mund të interpretohet si shpërdorim i mjeteve, qoftë i Buxhetit të Kosovës apo fondeve të BE –së.  Aq më parë që po afirmohet një praktikë ku caktimi i masës së paraburgimit është masë e skajshme e cila, në shumicën e rasteve zëvendësohet me masa alternative sikur arresti shtëpiak , lajmërmi në polici etj. Ndërtimi i kapaciteteve që nuk shfrytëzohen e që kërkojnë mjete të konsiderueshme për mirëmbajtje të tyre , shembuj eklatant është Pavijoni për Dëshmitarë të Mbrojtur me më shumë se 100 vende në ndërkohë që është i zbrazur sikur edhe Njësia e Paraburgimit në BSL, Q. P në Lipjan që tani do të zbrazet si dhe ndërtimi i dy Q. P ( Hajvali dhe Gjilan ) e që ka mjaftuar vetëm një Q . P në Hajvali  për t’i përmbushur nevojat për këtë rajon. Përzgjedhja e lokacioneve si dhe arkitektura e ndërtimit të këtyre objekteve ka qenë e gabuar duke injoruar aspektet e sigurisë, çështjet e logjistikës dhe krijimin e mundësive për risocializim të personave të privuar nga liria. Për të shkuar në BSL në Gërdoc duhet të kalohet nëpër fshatra dhe kjo, me një planifikim të mirë do të mënjanohej. Q. P në Gjilan nuk ka infrastruktur rrugore dhe përballet me të njëjtin problem si BSL në Gërdoc. I vetmi investim i qëlluar është Q. P në Hajvali që siguron një çasje të shpejtë dhe të lehtë  Pallatit të Drejtësisë ndonëse ndërtesat me banorë afër Q. P në Hajvali nuk është zgjedhje e mirë.

KMDLNj , i përkrahur nga KFOS monitoron qendrat dhe institucionet mbajtëse dhe lobon për përmirësimin e kushteve për persona të privuar nga liria dhe stafin që përkujdeset për ta. Në këtë kontekst e kundërshton pohimin e krijuar dhe i cili përdoret kryesisht për qëllime politike se në burgjet e Kosovës është shndërruar në fenomen përhapja e radikalizmit fetar dhe kjo ndërlidhet ekskluzivisht me ata që janë arrestuar dhe dënuar për shkak të pjesëmarrjes në luftrat në Siri apo se e kanë ndihmuar rekrutimin e qytetarëve të Kosovës që kanë shkuar në Siri. Realisht, të drejtat dhe liritë fetare në burgjet e Kosovës respektohen në përputhje me Ligjin për Liritë dhe të Drejtat Fetare dhe asnjë i privuar nga liria nuk përjashtohet nga këto të drejta , që nga zbtimi i riteve fetare, shënimin dhe festimin e festave fetare , deri te shfrytëzimi i literaturës fetare që e marrin nga shtëpia apo që gjendet në biblotekat e burg jeve. Në këtë kontekst është përligjur një diskriminim ndaj besimtarëve islamë që ndërlidhen me një radikalizëm të supozuar dhe politizuar duke iu kufizuar çasje në literaturën fetare në radhë të parë për shkak të papërgjegjësisë së BIK –ut (që i censuron librat me përmbajtje fetare e që vonohet shumë në hartimin e listave për literaturën e lejuar fetare) . Me një fjalë , grupi i personave të privuar nga liria që cilësohen si radikalë islamikë janë të stigmatizuar në burgjet e Kosovës për shkak të situatës së krijuar jashtë burgjeve dhe në rrethanat aktuale risocializimi i tyre thuaja është mision i pamundur për shkak të qëndrimit dhe qasjes përjashtuese ndaj tyre e që KMDLNj e konsideron si të gabuar aq më parë që sipas Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të gjithë të dënuarit duhet të trajtohen pa bërë dallime etnike, racore, gjinore, moshore, statusit material, bindjeve politike, përkatësisë kultu rore dhe specifikave tjera.

Krahasuar me vendet e rajonit por edhe të vendeve me një demokraci të zhvilluar dhe të qëndrueshme, në burgjet e Kosovës , përdorimi i dhunës ndodhë jashtëzakonisht rrallë dhe nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si tregues i besueshëm sepse krijon një opinion që nuk është në përputhje me realitetin duke i shqetësuar familjarët e të privuarve nga liria. Në këtë kontekst duhet të flasim për dhunën psikike dhe fizike ndaj stafit korrektues në burgjet e Kosovës.

Si rrjedhojë, çfarë shteti kemi, të tilla i kemi burgjet e në rastin e Kosovës lirisht mund të thuhet se , krahasuar me vendet e rajonit, Shërbimi Korrektues i Kosovës qëndron shumë më mirë se vende e rajonit. Krahasoni burgjet dhe trajtimin e të burgosurve në Kosovë me ato në Maqedoni, Mal të Zi, Federatën e Bosnjes, Serbinë dhe Shqipëri?

Në shumë raste janë të pakrahasueshme dhe Kosova mund të shërbejë si shebull i mirë për të tjerët.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shumë probleme dhe nevojitet një reformë e thellë në të gjitha nivelet. Problemi i burgjeve nuk është në Dubravë, Smrekonicë, BSL në Gërdoc, në Q. M. F në Lipjan dhe Qendrat e Paraburgimit por është në Prishtinë ku bëhet hartimi dhe vendimmarrja e politikave të ndalimit, paraburgimit dhe risocializimit.

Hiç rasteve të rralla të përdorimit të dhunës fizike, personat e privuar nga liria në burgjet e Kosovës përballen me probleme:

-              Trajtim jo të barabartë për shkak të statusit material dhe ndikimit politik

-              Shërbime të pamjaftueshme shëndetësore për shkak të pengesave objektive dhe subjektive

-              Arsimi jocilësor dhe mungesa e një programi për aftësimin profesional

-              Mungesa e aktiviteteve kulturore

-              Planifikimi jo i duhur i ndërtimit të kapaciteteve të reja

-              Mungesa e marrëveshjeve të bashkëpunimit me shtetet që nuk e njohin Kosovën që e vështirëson jetën por edhe trajtimin e personave të privuar nga liria, Serbia është rast eklatant për këtë por edhe Shqipëria është jobashkëpunuese për këtë

-              Mungesa ose pamundësia e angazhimit në punë për personat e privuar nga liria që është edhe parakushti kryesor për fitimin e beneficioneve siç janë pushimet e fundjavës në shtëpi, lirimi me kusht, falja nga Presidenti dhe të tjera. Ky angazhim i ndihmon të burgosurit të kenë një buxhet simbolik për disa shpenzime brenda burgut.

-              Korrupsioni dhe nepotizmi gjatë ndarjes së beneficioneve

-              Kategorizimi i gabuar deri më tani

-              Mungesa e një programi për risocializim në përputhje me specifikat e Kosovës

-              Mungesa e një oferte nga shteti për persona të privuar nga liria se çka fitojnë nëse sillen mirë dhe e kalojnë me sukses programin e risocializimit

-              Ndryshimet e fundit në LESP  që ka rrudhur shumë të drejtat dhe beneficionet e të privuarve nga liria sikur edhe kufizimet për udhëheqësit e institucioneve të paraburgimit dhe korrektuese në ndarjen e beneficioneve

-              Stafi i pakualifikuar sidomos i atyre që merren me kategoritë e ndjeshme siç janë: femrat, të miturit, komunitetet fetare dhe ato me nevoja të veçanta

-              Moskoordinimi apo paaftësia e përgjegjësve për të zëvendësuar stafin që pensionohet me staf të ri

-              Mungesa e buxhetit dhe përkrahjes institucionale

-              Vendosja e jo profesionistëve në poste udhëheqëse ku kërkohet profesionalizëm i lartë

-              Mungesa e zhvillimit të ekonomisë brenda burgjeve kur ka mundësi të mëdha për zhvillimin e saj

-              Ndikimi i theksuar politik në përzgjedhjen e kuadrove sikur edhe në zëvendësimin e tyre

KMDLNj shpreson  se me ndryshimet që do të bëhen në Shërbimin Korrektues të Kosovës do të krijohen kushte edhe më të mira për trajtimin e personave të privuar nga liria sikur edhe për stafin korrektues.

Lexo të tjera