11:56 / E enjte, 17 Gusht 2017

Koci: Deputeti ka imunitet, nuk mbanë përgjegjësi penale për deklarimet

Koci: Deputeti ka imunitet, nuk mbanë përgjegjësi penale për deklarimet

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi vazhdon të jetë i akuzuar lidhur me sulmin ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës. Ai gjatë seancës konstituive të Kuvendit ka arritur që të krijojë “zhurmë” me deklaratat e tij në foltoren e Kuvendit.

Akuzat që i lëshoj në drejtim të komandantëve të UÇK-së, saktësisht gjatë përmendjes së liderit të AAK-së, në deklarimin se po i gjunjëzohet Listës Serbe, arriti që të nxisë reagime nga më të ndryshmet.

Por i kontaktuar nga Indeksonline, avokati Arianit Koci ka cilësuar se është e drejtë dhe detyrë elementare e çdo deputeti të ketë qëndrim politik për secilën situatë, në këtë rast edhe e Krasniqit.

“Qëndrimet politike në Kuvend artikulohen qoftë ndërmjet votës ashtu edhe fjalimeve. Jo rastësisht instituti i imunitetit të deputetëve është i mishëruar në Kushtetutën e Kosovës. Kjo nënkupton se ata nuk mbajnë përgjegjësi penale e as civile për mendimet e shprehura në funksionin e tyre si deputet”, ka thënë Koci.

Sipas tij çështja e procedurës penale që është duke u zhvilluar ndaj deputetit Krasniqi, nuk ka të bëjë asgjë me të qenurit deputet e as me fjalimet që i mban në këtë cilësi.

“Do të ishte paradoks juridik i llojit të vet sikur Gjykata të ndërhyjë në qëndrimet politike të deputetëve dhe për këtë arsye t’i penalizohen ato në çfarëdo forme. Kuvendi i Kosovës është vendi i debatit  dhe nxitja e cilitdo debat është i mirëseardhur”, ka shtuar Koci.

“Personalisht mendoj se Haradinaj është hero i gjallë dhe asnjë debat nuk mund të ma ndryshoj këtë bindje. Sa i përket Krasniqit theksoi se nuk është fare kompetencë e Gjykatës që të vlerësoj fjalimet e deputetëve, dhe se në rastin konkret fjalimi i tillë apo edhe nxitja e çfarëdo debati nuk guxon të merret parasysh në vlerësimin e Gjykatës për t’ia lejuar deputetit pjesëmarrjen në seancë ose jo”, ka përfunduar Koci./Indeksonline/

Lexo të tjera