18:00 / E premte, 18 Gusht 2017

LDK i përgjigjet Kurtit për propozimin rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit

LDK i përgjigjet Kurtit për propozimin rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja “Vetëvendosje”, Albin Kurti përmes një letre të hapur ka bërë kërkesë të zgjedhurve të popullit të propozojnë një kandidat të përbashkët për kryetar të Kuvendit, nëse një gjë të tillë nuk e bën koalicioni PAN.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se ky propozim do të shqyrtohet ditëve në vazhdim. Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri ka thënë për “Indeksonline” se një propozim i tillë duhet të shikohet pasi i njëjti hap rrugë për krijimin e institucioneve të reja.

“Besojë se në kryesi shqyrtohen të gjitha opsionet kushtetuese që qojnë në krijimin sa më shpejt të institucioneve. Nuk e kam lexu në tanësi, e kam parë por LDK-ja e shqyrton këtë të hënën ose në fillim të javës dhe mandej dalim me qëndrim”, ka thënë ai.

Ndryshe, Kurti në letre e publikuar sot ka dhënë një propozim se si të dilet nga bllokimi. Ai ka propozuar deputetët pjesëmarrës  të seancës konstituive të përzgjedhin një kandidat të përbashkët për Kryetar të Kuvendit për datën 24 gusht.

Kurti thekson se në atë datë, nëse PAN e bojkoton seancën apo nëse refuzon të paraqesë kandidatin e saj, atëherë ata do të votojnë kandidatin e tyre.

Sipas Kurtit, nëse PAN do ta paraqesë një kandidat, atëherë secili subjekt e deputet do të bëjë zgjedhjen e vet (sepse nisma që ne propozojmë në radhë të parë ka për synim tejkalimin e këtij bllokimi). Por, nëse kandidati i paraqitur nga PAN nuk do të marrë votat e duhura, atëherë kandidati i përbashkët do të mund të votohet në të njëjtën seancë.

Lexo të tjera