20:04 / E diel, 13 Gusht 2017

Lekaj i bindur në përkrahjen e AKR-së për formimin e institucioneve

Lekaj i bindur në përkrahjen e AKR-së për formimin e institucioneve

Prej disa ditësh në media të ndryshme i qarkullueshëm ka qenë lajmi për arritje të një marrëveshje bashkëpunimi në mes koalicionit fitues të zgjedhjeve PAN dhe partisë së Behgjet Pacollit, AKR-së.

Madje, ky i fundit para disa ditësh i dha ultimatum prej 10 ditësh koalicionit LAA dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në mënyrë që të mos merren me inate ndaj njëri-tjetrit por të mendojnë për të mirën e vendit e mos ta dërgojnë në bllokadë institucionale.

I pari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se nëse formimi i institucioneve varet nga përkrahja e tij, atëherë ai nuk do jetë shkak për bllokimin e institucioneve. Sipas tij, sa më parë duhen funksionalizuar institucionet udhëheqëse.

Indeksonline ka kontaktuar deputetin e AAK-së, Pal Lekaj, për të kuptuar nëse përkrahja e Pacollit për PAN-in është e sigurt. Lidhur me këtë çështje Lekaj u shpreh se Kosova nuk e ka luksin të shkojë në bllokadë siç ka ndodhur para disa viteve.

Sipas tij, duke u bazuar në këtë çështje, PAN beson se AKR do e përkrahë partneritetin me PAN-in, që t’ia mundësojë Kosovës formimin sa më të shpejtë të institucioneve.

“Të gjithë në Kosovë, besojë, janë të vetëdijshëm se nuk e kemi luksin të bllokohemi, siç patë ndodhur para disa viteve, sepse në atë kohë janë harxhuar të gjitha idetë për të rrëzuar të parin pas zgjedhjeve. Konform kësaj dhe mbi vlerësimet e tyre po besojmë që z.Pacolli dhe AKR do të gjenden në dispozicion jo për hirë të dikujt e për interesa të ngushta politike, por për t'i dhënë mbështetjen dhe për të hyrë në partneritet me PAN-in dhe me kandidatin për kryeministër, z.Ramush Haradinaj, që t'ia mundësojmë Kosovës një orë e me përpara institucionet e reja, të cilat do të merren me problemet e shumta dhe prej vërteti t'iu japim zgjidhje”, tha Lekaj për Indeksonline.

Lekaj theksoi gjithashtu se bashkëpunimi me AKR-në do të jetë për domosdoshmërinë e Kosovës e jo të subjekteve politike.

“Ne presim një bashkëpunim me AKR-në dhe të tjerët për domosdoshmërinë që e ka Kosova, jo për domosdoshmërinë që mund ta kemi si subjekte apo si individë ndajë njëri tjetrit”, shtoi tutje Lekaj.

Njëkohësisht koalicioni PAN ka njoftuar se nuk do të marrin pjesë në seancë derisa subjektet tjera të mos marrin pjesë në takime konsultative./Indeksonline/

Lexo të tjera