07:01 / E hënë, 09 Tetor 2017

​Mbledhja e Këshillit Ministror për Integrim Evropian

​Mbledhja e Këshillit Ministror për Integrim Evropian

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj për herë të dytë do të mbledh në takim Këshillin Ministror për Integrim Evropian, për të diskutuar për zbatimin e agjendës së reformave evropiane.

Takimi do të mbahet sot dhe do të kryesohet nga kryeministri Haradinaj, si dhe ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha.

Në takimin e parë, i cili është mbajtur ditë më parë, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se tash e tutje, ky këshill do të mbajë takime të rregullta javore.

Ai i ka obliguar ministrat që të vijnë në takime dhe të raportojnë për përmbushjen e kërkesave që dalin nga ERA.

“Kosova duhet në afatin kohor që ka përpara vetes të implementojë këto detyra qeverisëse. Ministrat duhet të vijnë me raportim preciz, por edhe institucionet tjera që ju takojnë detyra, në mënyrë që ne të mund të vërtetojmë që zbatimi i MSA-së është proces që po ndodhë”, pati thënë Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka rikujtuar se dokumenti në fjalë parasheh detyrat e këtij viti, dhe se në fund të vitit do të saktësohen detyrat tjera që dalin nga ky proces.

“Ne kemi deklaruar si partner qeverisës, si koalicion, si Qeveri tanimë, se e kemi prioritet integrimin evropian, MSA-në. Kemi paraparë që me përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja, aplikimin për statusin e kandidatit të Kosovës për anëtarësim në BE, kuptohet që puna është e madhe. Nuk e bëjmë këtë për hatër të BE-së, e bëjmë për të mirën e qytetarëve të vendit, atyre që jetojnë në Kosovë, dhe nga ana ime unë do të jem koleg në këtë temë, si dhe do të kërkojmë që të kemi kolegë dhe të punojmë bashkë me të gjithë mekanizmat e BE-së që punojnë në Kosovë dhe me znj. Apostolova dhe kolegët tjerë”, tha kryeministri.

Takimi i fundit i këtij niveli ishte mbajtur në majin e 2013-ës, në kohën kur kryeministër ishte Hashim Thaçi.

Lexo të tjera