23:24 / E diel, 24 Shtator 2017

Merkel ia pa më së shumti sherrin ekstremistëve djathtistë (Foto)

Merkel ia pa më së shumti sherrin ekstremistëve djathtistë (Foto)

Për herë të parë në parlamentin gjerman kanë arritur të hyjnë ekstremistët djathtistë nga Alternativa për Gjermaninë. AfD ka dalë e treta në zgjedhjet federale të mbajtura sot, duke siguruar 13.2 për qind të votave.

Aleanca CDU-CSU, e udhëhequr nga Angela Merkel, ka fituar zgjedhjet federale në Gjermani.

Kristiandemokratët dhe kristiansocialët kanë marrë 32.5 për qind të votave, sipas 'exit poll'-eve, duke dalë fitues, para socialdemokratëve (SPD), që kanë përfunduar të dytët, me 20 për qind të votave.

Merkel, e cila ka kandiduar në këto zgjedhje për mandatin e katërt si kancelare, përballë rivalit kryesor, Martin Schulz, nga SPD, ka thënë se ajo dhe koalicioni i saj kanë pritur një rezultat më të mirë.

Në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013, CDU-CSU, me në krye Merkelin, këtë vit ka marrë 8.2 për qind vota më pak. Ndërkaq, SPD ka marrë 4.9 për qind vota më pak se më 2013.

Dy partitë më të mëdha gjermane ia kanë parë qartas sherrin AfD'së. Nacionalistët kanë arritur të joshin mbështetës të tyre, për të siguruar për herë të parë futjen në parlament.

Një milion e 70 mijë ish-votues të CDU-CSU këtë vit ia kanë kthyer shpinën unionit dhe Merkelit, dhe kanë votuar për Afd'në, që ka kritikuar ashpër kancelaren që ia hapi dyert e vendit miliona emigrantëve.

AfD i ka marrë SPD'së 500 mijë votues, Të Majtës 430 mijë, Të Gjelbërve 40 mijë, dhe FDP'së (liberalëve) 50 mijë.

Ndërkaq, ekstremistët djathtistë kanë arritur të joshin 740.000 gjermanë, që s'kanë votuar për asnjë parti në zgjedhjet e kaluara, që sivjet të votojnë për ta.

 

Lexo të tjera