12:43 / E premte, 21 Prill 2017

Mustafa: Të gjithë krenohemi me historinë e komunitetit turk

Mustafa: Të gjithë krenohemi me historinë e komunitetit turk

Në Kosovë është shënuar “Dita e komunitetit turk”, në të cilën është vlerësuar lart kontributi i popullit turk në Kosovë në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Në konferencën e organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Qeverinë e Kosovës, kryeministri Isa Mustafa tha të premten, se këtë ditë e konsideron ditë të gjithë qytetarëve të Kosovës, pasi sipas tij, ne ndajmë të kaluarën e përbashkët, të tanishmen e përbashkët dhe fatin e përbashkët për të ardhmen.

Kreu i ekzekutivit shtoi se duke shënuar Ditën e komunitetit turk, po respektojmë një histori të pasur, por edhe një të kaluar të vështirë, ku sfidat dhe problemet gjithmonë janë ndarë dhe tejkaluar bashkërisht nga shqiptarët, turqit dhe komunitetet tjera.

Ministri i Administratës Publike, njëherësh kryetar i partisë turke KDTP-së, Mahir Yagcilar theksoi se ndihet krenar dhe i lumtur që po shënojnë Ditën e komunitetit turk, meqë sipas tij, kjo ditë është pjesë e pavarësisë së Kosovës dhe pjesë e historisë me të re të vendit.

Por, përfaqësuesit e popullit turk në Kuvendin e Kosovës paraqitën edhe sfida dhe probleme me të cilat ballafaqohen qytetarët që ata përfaqësojnë. Deputetja e komunitetit turk në Kuvendin e Kosovës Mufera Shinik ka paraqitur disa nga problemet në të cilat hasin, si në aspektin e punësimit, arsimimit, zhvillimit të aktiviteteve kulturore në mungesë të kushteve e tjera.

Sipas saj, edhe pse në Kushtetutën e Kosovës dhe në ligjin për komunitete janë të garantuara të drejtat e tyre, zbatimi në praktikë po hasë në probleme.

Artisti Et’hem Baymak nga Shoqata e shkrimtarëve, ngriti problemin e përkrahjes së aktiviteteve kulturore që organizon komuniteti turk në Kosovë, sepse nuk janë duke përfituar asgjë nga Ministria e Kulturës.

Ai tha se komuniteti turk po bën përpjekje që ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe një gjë e tillë ka ndodhur disa herë, ku njerëzit e kulturës nga ky komunitet kanë përfaqësuar Kosovën dhe flamurin e saj.

Zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Çaush Balaj, tha se populli turk në Kosovë është pjesë e bashkësisë së vendit tonë duke luajtur një rol të rëndësishëm të shoqërore, politik e kulturor. Gjithashtu, sipas tij, komuniteti turk ka dhënë kontribut të madh në të gjitha fazat e tranzicionit.

Pas shpalljes së Pavarësisë, 23 prilli është caktuar si Dita e Komunitetit Turk dhe në Ligjin për festat zyrtare është si ditë e shënuar. 



Lexo të tjera