17:34 / E martë, 19 Shtator 2017

Në tetor nis vettingu: Konsensus në Kuvend, votimi pas dy javësh

Në tetor nis vettingu: Konsensus në Kuvend, votimi pas dy javësh

Organet e reja të vettingut pritet të nisin punën në tetor, me dosjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Fillimi i tetorit është koha kur Parlamenti ka parashikuar të votojë për strukturat e tre organeve të vettingut, pa të cilat ato nuk nisin dot shqyrtimin e dosjeve të gjyqtarëve dhe prokruorëve.

Testi i parë ishte në komisionin e ligjeve, ku relatorja socialiste Klotilda Ferhati sugjeroi uljen e numrit prej 185 personash, veçanërisht për organin e komisionerëve publikë. 

“Edhe për drejtorinë ekonomike e të burimeve njerëzore ju propozoni të keni 25 punonjës. Nëse i referoheni Avokatit të Popullit, numri i tyre është 13”, deklaroi Ferhati. “Si mundet që 40 për qind e një strukture të tillë, kaq të rëndësishme, ta përbëjë sektori i ndihmës, që do të thotë 25 vetë në 65 janë 40 për qind. S’ka mundësi të ketë 9 shoferë”, replikoi deputeti i PS, Bashkim Fino. 

Komisioni, i cili shprehu pa dallim politik mbështetjen në parim për organet e vettingut, do ta marrë vendimin më vonë, por paraprakisht një mesazh nga kryetarja e Kolegjit të Apelimit erdhi. 

“Këtu është reduktuar deri aty ku s’mban më. Nuk ka më reduktim për mendimin tonë. Ne jemi pro dhe mbrojmë strukturën, klasifikimin e pagave dhe gjithçka që kemi paraqitur këtu. Nuk ka tërheqje”, deklaroi Natasha Mulaj, kryetare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. 

Të tre organet e vettingut do të shqyrtojnë dosjet e rreth 800 njerëzve të drejtësisë, por nisja e punës së tyre nuk e kompleton zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo, sepse dy institucionet që duhet të drejtojnë sistemin e drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë, ende nuk janë ngritur./tch

Lexo të tjera