13:42 / E enjte, 12 Tetor 2017

OSBE do të angazhojë mbi 220 vëzhgues në komunat veriore

OSBE do të angazhojë mbi 220 vëzhgues në komunat veriore

OSBE do të përkrahë KQZ-në me mbi 220 vëzhgues që do të jetë aktiv në komunat veriore gjatë ditës së zgjedhjeve, më 22 tetor.

Kështu ka deklaruar shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, gjatë vizitës që i ka bërë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku tha se ndihma e OSBE-së në zgjedhjet e 22 tetorit do të jetë teknike.                     

“Ne do të kemi më shumë se 220 vëzhgues të OSBE-së, të cilët do të jenë aktiv në ditën e zgjedhjeve. Stafi ynë do punojë me komisionerët e zgjedhjeve nëpër komuna dhe komisionet e vendvotimeve në mënyrë që të sigurojnë zbatimin dhe pajtueshmërinë e duhur me strukturat e KQZ-së”, tha ai.

Ndërkaq, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka shprehur mirënjohje ndaj Misionit të OSBE-së në Kosovë, duke thënë se sot KQZ-ja është institucion i qëndrueshëm dhe profesionalisht i përgatitur falë mbështetjes së OSBE-së dhe institucioneve tjera sa herë që ka qenë nevoja, pavarësisht se a ka qenë periudhë zgjedhjesh apo ajo.

Ajo ka shtuar se tashmë kanë përfunduar të gjitha punët e mëdha për ditën e zgjedhjeve.

“Kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë deri në ditën e zgjedhjeve dhe nga këtu mund të konfirmoj se të gjitha procedurat e mëdha kanë përfunduar në mënyrë që më 22 tetor të hapen dyert e të gjitha vendvotimeve të Republikës të Kosovës. ....Më lejoni që të ju njoftoj se edhe në këto zgjedhje do të kemi bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë. Roli i këtij misioni edhe këtë herë do të jetë i limituar, pra ky rol është i kufizuar në ndihmë apo përkrahje teknike për KQZ-në në katër komuna dhe atë vetëm ditën e zgjedhjeve. Nga këtu dua t’i ftojë të gjithë qytetarët me të drejt vote që të dalin të marrin pjesë në votime për komunën e tyre më 22 tetor”, tha ajo.

Duke thënë se dalja e qytetarëve në vendvotime shton vlerën këtyre zgjedhjeve, Daka ka ftuar qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar më 22 tetor, ndërsa, ka bërë thirrje që edhe subjektet politike të respektojnë  ligjet dhe rregullat në mënyrë që Kosova të ketë zgjedhje demokratike.

Temat:
Lexo të tjera