13:02 / E premte, 13 Tetor 2017

Pacolli: Serbia mund të bëhet faktor i paqes në rajon

Pacolli: Serbia mund të bëhet faktor i paqes në rajon

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet  Pacolli ka thënë se Ballkani ka nevojë për stabilitet, dhe se Serbia mund të luajë një rol konstruktiv në këtë dhe të bëhet faktor i paqes, por gjithashtu duhet të “përballet me realitetin”.

Ai në një intervistë për Blicin serb i pyetur se çfarë do të ishte zgjidhja e tij për Kosovën në mënyrë që të dyja palët do të ishin të kënaqura,  ka theksuar se “duke qenë se Kosova për Serbinë është pjesë e territorit të saj, ndërsa për shqiptarët shtet” tha se do të ishte respekt dhe bashkëpunim i ndërsjellë, “duke pranuar realitetin se ka dy shtete që kanë nevojë për të ndërtuar një të ardhme për qytetarët e tyre”.

Sipas Blicit, kërkesa për  këtë intervistë Pacollit iu bë në gjuhën angleze, ndërsa ai përgjigjet i ka dhënë serbisht dhe atë në alfabetin cirilik.

Ai mes tjerash ka thënë se serbët janë njerëz të mirë, por ata që kanë kryer krime gjatë luftës duhet të sillen para drejtësisë.

I pyetur se kur do të formohet Asociacioni i Komunave serb, kryediplomati kosovar ka thënë se kjo do të ndodhë shumë shpejt dhe “në përputhje me kushtetutën”.

Hapjen e dialogut të brendshëm për Kosovën, të iniciuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, shefi i diplomacisë kosovare e ka vlerësuar si hap të guximshëm, transmeton Klan Kosova.

“Mendoj se Serbia nuk guxon të mbetet peng i të kaluarës, ajo duhet të përballet me realitetin e fakteve e të ligjeve. Sot Kosova është shtet ndërkombëtarisht i njohur nga shumica e vendeve demokratike të botës”, ka thënë ai.

Lexo të tjera